Heroi i kombit Luan Haradinaj është përkujtuar me një varg aktivitetesh në 21 vjetorin e rënies së tij.
Pas homazheve që sot janë bërë në Gllogjan, Deçan dhe Pejë, në Prishtinë është mbajtur një akademi përkujtimore për nder të rënies së tij ku u heroi u vlerësua lart nga pjesëmarrësit ndërsa u krahasua me Gjergj Kastriotin Skënderbeun, Hasan Prishtinën dhe Avdyl Frashërin.
Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi tha se Luan Haradinaj paraqet një personalitet të rrallë të Lëvizjes Kombëtare.
Duke folur për vperën e Luan Haradinajt, Thaçi tha se ai ishte një prej veprimtarëve dhe themeluesve të UÇK-së.
Presidenti ka treguar se heroin e ka njohur në vitin 1996 përmes Kadri Veselit, kryetar aktual i Kuvendit.
Ai madje tha se shumë herë së bashku e kanë kaluar kufirin Kosovë-Shqipëri së bashku ndërsa strehë gjenin në shtëpinë e tij në Gllogjan dhe tek dajtë e tij në Jabllanicë të Gjakovës.
Luan Haradinaj sipas presidentit është personifikimi më monumental i pavarësisë së Kosovës
Thaçi: Luani është personifikim më monumental i pavarësisë.
“Luani ishte fjalëpak por trim i paparë. Luan Haradinaj është njeriu që theu gurin shqiptaro-shqiptar. Shquhej për organizim dhe aksione të sakta kundër policisë serbe. Nuk kishte si mos të ndodhte kështu. Ai u rrit në një familje atdhetare, axha i tij Ismajli kishte kaluar vite të tëra nëopër burgje serbe prandaj shteti i jonë sot nderon dhe i respekton me vlerësimet më të larta emblemën e UÇK-së Luan Haradinaj. Haradinaj është personifikimi më monumental i pavarësisë së Kosovës”, tha presidenti i Kosovës.
Për veprën e tij ka folur edhe kryetari i Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës Xhavit Jashari.
Ai tha se Luan Haradinaj në moshën 20 vjeçare ishte bërë ushtar i UÇK-së.
Sipas tij Luani kreu shumë sulme në stacionet policore në Deçan, Baballoq, Junik dhe në të gjitha stacionet në Kosovë.
Luani, sipas Jasharit nuk i kishte lënë të qetë as konvojet e ushtrisë serbe që lëviznin afër kufirit shqiptar-shqiptar. Madje tha se ndonjëherë kishte kryer aksione fill I vetëm në caqet e ushtrisë serbe.
Jashari tha se në vitin 1994 Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së e kishte emëruar komandant të logjistikës dhe kishte kërkuar që të formojë Zonën Operative të Dukagjinit, bashkë me vëllezërit e tij Ramush dhe Shkelzen Haradinaj.
Lufta e Luanit sipas Jasharit kishte një ideal, bashkimin e trojeve shqiptare.
Jashari: Rënia dhe lufta e Luanit kishte përmasa kombëtare.
“Rënia dhe lufta e dëshmorit të kombit Luan Haradinaj kishte përmasa kombëtare. Mënyra e organizimit të luftës së UÇK-së si dhe mënyra e krijimit të strukturave të saj domosdoshnmërisht e kanë bërë vlerë kombëtare edhe lirinë e tokave shqiptare që njihet si Kosovë. Luan Haradinaj jo vetëm që ishte pjesë e këtij organizimi dhe kësaj lufte, por ai ishte dhe një figurë bashkuese për ta shtrirë këtë luftë në tërë territorin e tokave të pushtuara shqiptare”, tha Jashari.
Një fjalim të gjatë në mënyrë shkencore e ka mbajtur edhe Emin Kabashi ku sipas tij lufta dhe ideali i Luan Haradinajt nuk shpjegohet as në fjalime politike as në libra.
Sipas tij ideali dhe historia e UÇK-së ishte bashkimi kombëtar pjesë e së cilës është edhe Luani.
Kabashi: Bashkimi kombëtar një ditë do të bëhet.
“Ky ideal dhe ky historik pjesë e të cilit është edhe Luan Haradinaj nuk shpjegohet as me fjalimet politike kudo që bëhet ajo në Tiranë, Prishtinë, Shkup Bruksel apo kudo tjetër…. Bashkimi kombëtar një ditë do të bëhet realitet me ne apo pa ne…dhe ky veprim nuk do të bëhej pa luftën e UÇK-së në mesin e të cilëve është edhe Luan Haradinaj bashkë me të gjithë bashkëluftëtarët”, tha Kabashi
Para të pranishmëve ka folur shkurt edhe kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, që është vëllai i madh i Luanit dhe Shkëlzenit, tash dëshmorë të kombit.
Haradinaj: Kujdesi juaj na nderon edhe neve si familje.
“Është e pamundur që veprën e luftëtarit të lirisë ta dëshmojmë me një akademi, por megjithatë ky kujdes i juaji na nderon edhe neve si familje, si bashkëluftëtarë. Andaj, duke shprehur respektin më të madh për të gjithë të rënët për liri që po i kujtojmë këto ditë, njëkohësisht për të gjithë juve që na keni nderuar, ju them Lavdi të rënëve për liri”, tha kryeministri Haradinaj.
Për nder të rënies së Luan Haradinajt u interpretuan këngë si dhe u ndanë mirënjohje për kryeministrin, presidentin, ish- kryetarin e komunës së Skënderajt Sami Lushtakun, këngëtarin Ilir Shaqiri, etj.
Luan Haradinaj ka rënë më 6 maj të vitit 1997 në kufirin mes Kosovës dhe Shqipërisë në vendin e quajtur “Qafa e Mullarit” derisa me një grup bashkëluftëtarësh po tentonin të hynin në Kosovë.