Prokuroria e Republikës së Kosovës i ka zgjeruar hetimet për zmadhimin e listave të veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, shkruan Gazeta Metro.
Prokuroria në lidhje me hetimet në këtë rast ka intervistuar edhe të gjithë anëtarët e Komisionit për njohjen dhe verifikimin e statusit të veteranëve të UÇK’së.
Këtë e ka konfirmuar deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Shkumbin Demaliaj, i cili është gjithashtu pjesë e këtij komisioni.
Demaliaj ka thënë në seancën e sotme të Kuvendit që është intervistuar nga prokurorët për listat e veteranëve dhe ka treguar që kjo është bërë edhe me anëtarët tjerë të Komisionit.
“Jo vetëm unë, por të gjithë anëtarët e Komisionit për verifikimin e listave të veteranëve janë intervistuar”, ka thënë Demaliaj sot në Kuvend. “Duhet të tërhiqet në rekomandim edhe çështja e listave të veteranëve për shkak se sot është në domenin e drejtësisë. Është në duar të e Prokurorisë Speciale të Kosovës”, tha Demaliaj.
Anëtarët tjerë të këtij komisioni që kryesohet nga Agim Çeku janë Sami Lushtaku, Sadik Halitjaha, Shkumbin Demaliaj, Rrahman Rama, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Avdi Raci, Fadil Shurdhaj, Xhavit Jashari, Jahir Demaku, Rrustem Berisha e Faik Fazliu.
Lidhur me numrin e veteranëve në lista që kanë dalë pas verifikimit ka pasur shumë probleme, pasi numri është joreal dhe është rritur dukshëm. Probleme janë hasur sidomos në aspektin buxhetor, pasi numri i veteranëve është më shumë se dyfishi i atij që pritej fillimisht.
Madje, qeveria e Kosovës mori vendim dje që të ndajë rreth 300 mijë euro për të dërguar veteranët në pushime bregdetare.