
Bashkimi Evropian ka shprehur keqardhje lidhur me mospjesëmarrjen e Listës Serbe, në zgjedhjet që do të mbahen më 23 prill në komunat veriore.
Zëdhënësi Peter Stano ka deklaruar se zgjedhjet janë të rëndësishme për gjithpërfshirje.
“Zgjedhjet janë gur themeli i demokracisë, dhe BE-ja gjithmonë e ka theksuar rëndësinë e gjithëpërfshirjes”, ka thënë zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, në disa përgjigje për Radion Evropa e Lirë, duke shtuar se është shumë e rëndësishme që këto zgjedhje të mbahen në kushte paqësore.
Keqardhjen për mospjesëmarrjen e Listës Serbe në këto zgjedhje e kanë shprehur dhe vendet e grupit QUINT – Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe, Italia, Franca dhe Gjermania.
Përgjatë përgatitjeve për zgjedhje në dhjetor, autoritetet e Kosovës kanë regjistruar disa incidente, siç është pengimi i hapjes së zyrave të Komisionit Qendror Zgjedhor.