
Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka folur për mundësinë e hyrjes në koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje dhe partitë e tjera pas zgjedhjeve.
Limaj potencoi se Nisma dhe AAK-ja janë dy parti të ndara dhe se bashkëpunimi i tyre nuk është i domosdoshëm në çdo vendim politik.
“Duhet ta kuptojmë se ne jemi dy parti politike. Nuk e kemi të domosdoshme të votojmë njëjtë për çështje të ndryshme,” tha ai në Rtv Dukagjini.
I pyetur nëse ka pasur kontakte për ndonjë koalicion të mundshëm, Limaj tha se ende nuk ka pasur lëvizje konkrete nga partitë e mëdha.
“Ne jemi të vegjël, kanë punë njëherë të mëdhenjtë për koalicione,” deklaroi ai, duke kujtuar se edhe ish-presidenti Ibrahim Rugova, me 46% të votave, kishte negociuar për bashkëpunime.
Ai shtoi se tashmë fushata ka përfunduar dhe partitë duhet të ulen në tavolinë për të diskutuar të ardhmen politike të vendit.