Zëvendëskryeministri i Kosovës, Fatmir Limaj, ka zbuluar detaje nga një drekë e udhëheqësve të vendit, pas skandalit me dëbimin e gjashtë shtetasve turq.
Limaj, njëherësh kryetar i Nismës Socialdemokrate, ka folur në emisionin “Pressing”, me Leonard Kerqukin, në televizionin T7, për përplasjet e krerëve shtetërorë gjatë takimit që kanë zhvilluar.
“Natyrisht, ka qenë situata e tensionuar. Ka pasur pak tension, në kuptimin e kërkimit të përgjegjësisë”, ka bërë të ditur Limaj.
“Dikush duhet të japë përgjegjësi. Dhe kjo çështje s’mund të kalohet”, ka theksuar Limaj.
“Po bëhet hajgare shumë. Do të bëhet ende hajgare, përderisa nuk lypet përgjegjësi publike. Të gjithë po e dimë, e të gjithë po bëhemi që s’po e dimë”, është shprehur ai në T7.
“Duhet të adresohen përgjegjësitë me emra. Nuk mundesh të kesh privilegje, e kurrë të mos kesh përgjegjësi. Nuk mundesh të thuash, unë i kam kompetencat, e më pas të thuash unë s’di asgjë”, ka deklaruar Limaj, raporton Gazeta Express.
“Ose, kur t’i do të sillesh vetëm vet, e të tjerët të mos i kesh në tavolina, nuk mundesh të thuash: ‘Hajdeni se e bëra një bërllok, e bëhuni pjesë e bërllokut edhe ju’. Kushdo që të jetë, s’është me rëndësi emri i individit”, ka shtuar zëvendëskryeministri.
“Lojë fjalësh mund të luajmë, por kjo s’është e mirë për vendin. Vendi ka qenë pa qeverisje. Kush na ka qeverisë për tri ditë? Është situatë alarmante”, është shprehur Limaj. /Express/