![Lideri që Theu Rregullat e Politikës Ballkanike](https://gazetaprojekti.com/wp-content/uploads/2025/02/IMG_0366.jpeg)
Memli Krasniqi. Me shumë gjasë, ky është politikani i parë, jo vetëm në Kosovë, por në gjithë rajonin, që mund të futet në librin e rekordeve. Ai nuk luftoi për pushtet dhe karrierë, por ia lëshoi vendin kryesor për kandidat të kryeministrit një tjetri. Sa herë ka ndodhur kjo në një rajon ku lufta për pushtet është e pamëshirshme?
Kur e pyetën në një intervistë: “Cilën pozitë do të kesh në qeverinë potenciale të Bedri Hamzës?” Ai u përgjigj thjesht: “Asnjë rol nuk do të kem.” “Do të vazhdoj të reformoj partinë.” Kjo ishte diçka e paparë më herët në Ballkan. Një politikan i shkolluar në LSE, që fokusin e ka te reformat dhe jo te karrigia e pushtetit.
Për më tepër, përkundër krizave të mëdha brenda partisë, sidomos me krerët e saj në Hagë, ai arriti të menaxhojë situatën dhe të mbajë kohezionin e brendshëm. PDK u rrit në 22.46% (90% të numërimit pa diasporë) dhe mund të arrijë 200,000 vota, nga rreth 149,000 në zgjedhjet e fundit.
Ky është një rezultat i shkëlqyeshëm që konfirmon se metoda dhe rruga e Memli Krasniqit është e duhura për PDK-në. Sot ai është më i konsoliduar se dje dhe potencialisht mund të jetë edhe figura kryesore për formimin e qeverisë së re, në secilin variant.
Por puna e tij nuk ka përfunduar, as për së afërmi. Votuesit e kanë shpërblyer për qasjen, strategjinë dhe maturitetin politik, por reformat në PDK duhet të vazhdojnë.
Partia ende ka një ‘krizë identiteti’ mes së kaluarës dhe së ardhmes. Ajo është në tranzicion dhe reformat duhet të thellohen dhe forcohen për të garantuar suksesin afatgjatë. PDK ka prezantuar një listë me kandidatë të rinj, dhe nuk është identifikuar ndonjë problem ligjor me ta.
Por e ardhmja e saj qëndron te brezat e rinj. Në të ardhmen, PDK do të garojë me LDK-në e Lumir Abdixhikut, e cila u nënvlerësua në rezultatet e zgjedhjeve të 9 shkurtit. LDK mund të ketë avancuar me reforma dhe program, por PDK ka një epërsi në organizim, shtrirje dhe tashmë edhe në vota.
Rezultatet e zgjedhjeve konfirmuan që Memli Krasniqi është njeriu i duhur, dhe ai duhet të thellojë reformat në parti, me kuadro profesionale dhe me integritet. Ai duhet të forcojë kauzat e reja të PDK-së dhe të vazhdojë zhvillimin e politikave programore dhe qeverisëse.
Këto zgjedhje kanë konfirmuar se figura si Memli Krasniqi dhe shumë të tjerë të ngjashëm në PDK, përfshirë edhe Lumir Abdixhikun me ekipin e tij, janë e ardhmja e vendit. Ata duhet të vazhdojnë me reformat e duhura, derisa Kosova të instalojë një platformë dhe mentalitet të ri politik, të fokusuar në programe, ekonomi dhe qeverisje proaktive, përtej diskursit të vjetër “Serbi, luftë dhe/apo pro-anti Perëndimit.”