Letra që e dërgoi kryediplomatja e Kosovës, Donika Gërvalla, në drejtim të presidentit të Asamblesë Parlamentare ka shpërfaqur plotësisht përçarjen mes krerëve të shtetit të Kosovës dhe moskoordinimin për çështjet e jashtme.
Të mërkurën, përçarjen në hije e ka thelluar edhe më shumë kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca. Ka thënë se ishte e pamundur që Osmani të njoftohej rregullisht për shkak të largësisë pasi presidentja ato ditë ndodhej në SHBA. Se “gjërat ndryshonin nga minuta në minutë”. Është arsyetuar se ka ndodhur pa qëllim, ndërkaq, për reagimin e presidencës, kryekuvendari ka thënë se me siguri ka ndodhur si pasojë e asaj që ata kanë menduar që çdo hollësi duhej ndarë me Osmanin.
“Unë e kam kuptuar këtë si një pamundësi që të njoftohet Presidentja për çdo hollësi nga MPJD. Kam hamendësuar se kjo ka ndodhur për shkak të vizitës që kishte në SHBA, ku për shkak të largësisë me siguri jo çdo hollësi e cila ndryshonte çdo minut në atë ditën e votimit nga ana e Këshillit të Ministrave, mund të ndahet, dhe mund të koordinohet. Nuk shoh mosvullnet nga ana e qeverisë dhe MPJD që të bëjë diçka të qëllimshme kundër presidentes, apo të mbajë diçka të fshehur. Ka qenë teknikisht një largësi e madhe atë ditë, që ka bërë që ndryshimet e cdo minuti nuk ka mujt të gjitha me i nda me presidenten. Presidenca e ka pasur reagimin e saj, ky reagim me siguri vjen si pasojë e asaj që ata kanë menduar që çdo hollësi do të duhej ndarë me presidenten”, ka thënë Konjufca të mërkurën në një deklaratë për media.
E ashpër ka qenë në qëndrim presidentja pas deklaratës së Konjufcës. E ka cilësuar qesharake deklaratën e tij. Ajo ka qenë kritike edhe për faktin se letra e Gërvallës më përpara kishte rënë në duart e dikujt nga shoqëria civile në Gjermani, para Presidencës, Kuvendit, shoqërisë civile apo qytetarëve të Kosovës.
“Në qoftë se tema paska qenë të mos prezenca fizike në Kosovë, atëherë si është e mundur që një njeri nga shoqëria civile në Gjermani që po ashtu nuk ishte prezent në Kosovë e mori atë letër para Presidencës së vendit, para Parlamentit të vendit, para shoqërisë civile në Kosovë, para popullit të Kosovës dhe e botojë atë në Twitter, pra për ta informuar një person që fare nuk është në institucione paska pasur mënyra kurse për ta koordinuar dhe vendosur bashkërisht një temë të tillë nuk paska pasur mënyra që të koordinohet me presidenten. Kjo vërtetë është qesharake”, ka thënë Osmani të mërkurën
“Unë nuk e kam dëgjuar një deklaratë të tillë do të befasohesha jashtëzakonisht shumë në qoftë se dikush vërtetë deklaron diçka të tillë sepse jemi në vitin 2024 ku telefonat funksionojnë shumë mirë pavarësisht në cilën zonë kohore jemi dhe në të njëjtën kohë të gjitha komunikimet tona deri tani në këto tri vite e gjysmë të bashkëpunimit ndërinstitucional në fushën e politikës së jashtme kane qenë pikërisht përmes telefonit sepse dikush nga institucionet gjithnjë ka qenë jashtë vendit dhe të thuhet që një informatë kaq fondamentale për një proces kaq kapital që e ka ndryshuar në tërësi qëndrimin që ne e kemi mbajt deri atë ditë”, ka insistuar ajo.
Ftohja mes liderëve shtetërorë është vërejtur edhe në takimet me ndërkombëtarët, sidomos me përfaqësuesit më të lartë amerikanë. Zëvendës-ndihmës Sekretari për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike të SHBA-së, Gabriel Escobar.
Në muajin mars, Escobari zhvilloi vizitë zyrtare dyditore në Kosovë. U shfaq shumë i afërt me presidenten Vjosa Osmani. Me të, mbajti konferencën e përbashkët teksa Osmanin e quajti “gardiane të marrëdhënieve Kosovë-SHBA”.
Qasjen që kishte me Osmanin, Escobari nuk e pati me kryeministrin. Ani pse qëndroi dy orë në takim, në fund zëvendësndihmës Sekretari i SHBA-së doli në konferencë vetëm me ambasadorin amerikan, Jeff Hovenier.