Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Bedri Hamza prin me 92.68% të premtimeve të përfunduara, gjysma të realizuara dhe të filluara, sipas publikimit “Letërnjoftimi i komunave”, të Institutit GAP i cili mat shkallën e përmbushjes së premtimeve zgjedhore për mandatin 2021-2025.
Sipas raportit të GAP, Komuna e Mitrovicës së Jugut, nën udhëheqjen e Bedri Hamzës, renditet ndër komunat me numrin më të madh të premtimeve të realizuara. Me rreth një vit e gjysmë të mbetur në mandatin e tij, Hamza është afër përmbushjes se plotë të premtimeve.
Nga 123 premtime në total, kandidati i PDK-së për kryeministër ka 69 premtime të përfunduara, 15 gjysme të përmbushura dhe 30 të filluara.
Në kryeqytet, kryetari i kësaj komune Përparim Rama rezulton se ka përfunduar vetëm 43 premtime nga 206 gjithsej. 34 të tjera janë gjysmë të përmbushura dhe 54 të tjera kanë filluar. Plot 75 është numri i premtimeve që sipas GAP-it, Rama ende nuk i ka filluar.
Pra, 63.59 për qind e premtimeve ose janë përfunduar, gjysmë të realizuara, ose kanë filluar.
Nga 1 mijë e 816 premtimet e bëra nga 27 kryetarët e komunave, 765 (ose 42 për qind) janë realizuar plotësisht, 304 (17 për qind) janë përmbushur pjesërisht, 326 (18 për qind) janë iniciuar dhe 421 (23 për qind) mbeten të pa filluara.
Suksesi më i madh është parë në fushën e administratës dhe shëndetësisë, ku 66 për qind e premtimeve janë realizuar. Arsimi, bujqësia dhe ekonomia vijojnë me të paktën 50 për qind të premtimeve të realizuara. Progresi më i vogël është në infrastrukturë, urbanizim dhe shërbime publike.
Krahasuar me përditësimin e vitit të kaluar, sipas GAP, shkalla e përmbushjes së plotë të premtimeve është rritur nga 26 për qind në 42 për qind.
Premtimet e realizuara pjesërisht kanë shënuar një rritje të lehtë nga 16 për qind në 17 për qind, ndërsa premtimet në vazhdim kanë rënë nga 23 për qind në 18 për qind. Premtimet e pafilluara kanë rënë nga 35 për qind në 23 për qind.
Urbanizimi dhe infrastruktura kanë më pak premtime të realizuara. Nga 41 premtimet e bëra në këtë sektor, vetëm 11 janë realizuar. Këtu përfshihen detyra të tilla si hartimi i planeve rregullative dhe zhvillimore urbane, krijimi i hartave zonale dhe përshpejtimi i proceseve të legalizimit dhe pranimit teknik të objekteve.