Në 11-vjetorin e vdekjes së veprimtares Nekibe Kelmendi, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku bashkë me Kosovaren të bijën e Nekibe dhe Bajram Kelmendit dhe bashkëpunëtorë kanë bërë homazhe dhe nderuar jetën e veprën e saj.
Me këtë rast, LDK-ja ka theksuar se Kelmendi ka lënë gjurmë të pashlyeshme si veprimtare e çështjes së Kosovës.
“Dymbëdhjetë vjet kur Kosovarja humbi nënën e saj, por fitoi zemrat e shumë nënave tjera shqiptare që e kujtojnë atë për forcën dhe durimin përkundër sfidave jetësore që kishte. Nekibe Kelmendi është sinonim i forcës së një gruaje të hekurt që punoi pareshtur për lirinë e konsolidimin e Republikës tonë. Ajo la gjurmë të pashlyeshme si veprimtare e paepur e çështjes kombëtare, aktiviste politike, avokate, deputete e ministre e drejtësisë. Në këtë rrugëtim të vështirë, në orët më të rënda për vendin ajo ishte bashkëpunëtore e palëkundur e presidentit historik, dr. Ibrahim Rugova”.
“Bashkë me bashkëshortin e saj, Bajram Kelmendin, ishin veprimtarë të lirisë në përpjekjen e pashtershme për të denoncuar gjenocidin serb mbi popullsinë shqiptare në Kosovë. Bajram Kelmendi dhe djemtë e tyre, Kastrioti 30 vjeç e Kushtrimi 16 vjeç u flijuan për këtë vend, kurse Nekibja dhimbjen e paimagjinueshme e shndërroi në përkushtim të jashtëzakonshëm për lirinë dhe pavarësinë e vendit. Familja Kelmendi do të kujtohen gjithmonë me nderim të veçantë për sakrificën e madhe në altarin e lirisë; ndërsa LDK dhe Republika e Kosovës do t’i mbajë në kujtesë e nderim të përjetshëm. Ikja e hershme e Nekibe Kelmendit, la zbrazëti në jetën politike e profesionale, por ajo ka lënë një trashëgimi politike e humane që mbetet vlerë për vendin tonë e gjurmët, sakrifica dhe puna e saj tashmë janë një udhërrëfyes për të gjithë ne që të ecim përpara”, ka njoftuar LDK-ja.