![Lajçak tregon se çfarë do të ndodh me 18 mars](https://gazetaprojekti.com/wp-content/uploads/2023/03/D23A2F75-7D42-4F35-8A11-631BA9B33527.jpeg)
Emisari i BE-së, Miroslav Lajçak, ka zbuluar detaje shtesë nga takimi i 18 marsit në Ohër, dhe se çka e pason këtë ballafaqim Kurti-Vuçiq.
Lajçak deklaroi se data 18 mars nuk është zgjedhur në mënyrë rastësore, pasi tregoi se pas këtij takimi, vijojnë edhe dy takime të rëndësishme të strukturave të Bashkimit Evropian, shkruan gazeta online Reporteri.net.
Ai tregoi se dy ditë pas 18 marsit, në Bruksel do të takohen ministrat e jashtëm të shteteve të BE-së, dhe se më 23 e 24 mars, pritet që të mblidhen në Këshill Evropian, liderë, presidentë e kryeministra evropianë.
“Data 18 (mars) nuk është zgjedhur aksidentalisht. Më datën 20 ministrat e Jashtëm të 27 vendeve anëtare të BE-së do të takohen në Bruksel për këshillin e punëve të jashtme dhe më pas më 23 dhe 24 liderët evropianë, presidentët dhe kryeministrat, do të takohen në Këshillin Evropian. Përfaqësuesi i lartë Borrell, do t’i informojë ata për progresin apo mungesën e progresit”, deklaroi Lajçak në ATV.
Emisari i BE-së tha se Borrell, i cili do të jetë pjesë e takimit në Ohër, do t’i njoftojë se a është arritur apo jo marrëveshja, dhe nëse jo, atëherë pse nuk u arrit.
E ardhmja e Kosovës dhe Serbisë, sipas Lajçak, varet nga ajo se çka u kumton Borrelli, liderëve e ministrave evropianë, në këto takime të rëndësishme.
“Ata duan të dëgjojnë nga ai, a kemi apo nuk kemi marrëveshje. Nëse nuk kemi marrëveshje, pse? Sepse nevojitet më shumë punë, apo se njëra palë apo të dyja palët po e pengojnë marrëveshjen. Mund të ju them se vëmendja lidhur me këtë proces është e jashtëzakonisht e lartë, mbështetja është jashtëzakonisht e lartë, uniteti është i paprecedent, kështu që varet nga ne, nga të dyja palët dhe nga ne si ndërmjetësues, se çfarë mesazhi do t’u raportojë z. Borrell liderëve evropianë, ministrave më datën 20 dhe liderëve më 23 dhe 24”, përfundoi emisari Miroslav Lajçak.