E Premte, 26 Prill 2019 15:58
Në Kazermën „Adem Jashari” në Prishtinë, sot solemnisht u shpallën rezultatet e Garës ndërkombëtare dhe të Garës së FSK-së „Ushtari më i mirë i vitit 2019″.
Në ceremoninë e ndarjes së çmimeve ishin të pranishëm edhe zëvendësministri i Mbrojtjes Burim Ramadani, komandanti i Forcave Tokësore, njëherësh zëvendës komandant i FSK-së, gjeneral brigade Enver Cikaqi, komandanti i BMO-së, gjeneral brigade Naim Haziri, zv. komandanti i Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes, kolonel Mehmet Lladrofvci, komandanti i RMC-së, kolonel Shaip Haziri dhe oficerë të lartë të FSK-së, KFOR-it si dhe oficerë e atashe të shteteve partnere të FSK-së.
Me këtë rast, zëvendësministri i Mbrojtjes, z. Burim Ramadani, theksoi se nga viti 2014 është krijuar tradita e kësaj gare, dhe që nga viti 2017, këtë garë e ka madhështuar edhe më shumë pjesëmarrja e vendeve partnere.
Orientimi dhe përkushtimi ynë si FSK, shtoi Ramadani, është të rrisim bashkëveprimin tonë me shtetet aleate të NATO-s. Kjo garë po tregon bashkëpunim dhe ndërveprim me pjesëmarrjen e 9 shteteve partnere në garë si: Shqipëria, Belgjika, Kanada, Kroacia, Maqedonia Veriore, Britania e Madhe, Polonia, Turqia, dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Gara për zgjedhjen e ushtarit më të mirë, promovon vlerat dhe shkëmbimin e përvojave, dhe njëherësh ka krijuar miqësi në mes jush, prandaj besoj se këtë komunikim do ta vazhdoni edhe në të ardhmen.
Komandanti i Forcave Tokësore gjeneral brigade Enver Cikaqi, në fjalën e tij, theksoi se prezenca e 9 shteteve partnere në garë, më së miri e tregon vlerën dhe nivelin e garës. Kjo i jep kuptim të fuqishëm këtij organizimi dhe falënderoi edhe në emër të komandantit të FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Ramës, të gjithë, për organizimin dhe mbarëvajtjen e garës.
„Aktivitetet e realizuara e kanë bërë këtë garë mjaft sfiduese, dhe interesante për pjesëmarrësit. Ne do të identifikojmë të arriturat po edhe mangësitë ekzistuese që në organizimet tjera, të shfaqim edhe aftësi dhe ngritje të pjesëmarrjes edhe më shumë të vendeve partnere.
Jemi të lumtur që ky vit është viti i parë me mandatin e ri të FSK-së dhe pjesëmarrja kaq e madhe e pjesëtarëve garues, si nga FSK-ja, po ashtu edhe nga partnerët tanë, na jep vullnet se jemi rrugës së drejt të krijimit të standardeve me partneret tanë strategjik.
Ndërsa, rreshter majori i parë i FSK-së, Genc Metaj, tha se: „gara ishte mjaft sfiduese, por nuk ishte vetëm garë. Këto ditë, ne së bashku kemi organizuar edhe vizita kulturore në vende të ndryshme në Kosovë, për t’i njoftuar partnerët me të kaluarën tonë. Jemi përgatitur së bashku edhe me partnerët për ecurinë e garës. Rreshter majori Metaj falënderoi të gjithë rreshter majorët që kanë organizuar, udhëhequr dhe realizimin me sukses të kësaj gare.
Ai, tregoi edhe historikun e garës, duke marrë si shembull në fillim, garën e ushtarit më të mirë të shtetit IOWA të SHBA-ve, dhe pastaj duke e përshtatur atë në një garë unike të FSK-së e që tash më është bërë tradicionale, sfiduese dhe shumë atraktive për garuesit.
Në fund të ceremonisë u shpallën edhe rezultatet e të dyja garave.
Ushtari më i mirë i vitit 2019, në nivel të FSK-së, u shpall tetari Benik Nebihu, Brigada e Mbështetjes Operacionale, ndërsa vendi i dytë i takoi tetar Valon Hajdarit, Brigada e Reagimit të Shpejtë dhe vendin e tretë e zuri ushtari Shkodran Kokalla, Brigada e Reagimit të Shpejtë.
Ndërsa fitues i garës ndërkombëtare “Ushtari më i mirë i vitit 2019” u shpall rreshteri Xhevat Maloku nga Republika e Shqipërisë, vendi i dytë i takoi tetarit Darko Dimitrijevic, nga Ushtria e Maqedonisë Veriore dhe vendi i tretë, tetarit Josif Agolli nga Ushtria e Republikës së Shqipërisë.
Gara e ushtarit më të mirë e mbajtur në nivel të FSK-së, është zhvilluar nga data: 22-26 prill 2019, në Kazermën „Skënderbeu” në Ferizaj, ku ushtarët dhe nënoficerët nga të gjitha njësitet e FSK-së dhe nga vendet partnere pjesëmarrëse garuan së bashku në këto disiplina: Test fizik, gjuajtje me armë, navigim tokësor, poligon me pengesa, hedhje e granatës, kalimi i zonës së rrezikshme, ndihma e parë, vëzhgimi i terrenit, dhe marshimi i shpejt me ngarkesë, me ç’rast të gjithë garuesit treguan përkushtim dhe profesionalizëm të lartë gjatë tërë kohës së realizimit të këtyre garave.
Në këtë garë morën pjesë 22 garues nga FSK-ja dhe 18 garues nga 9 vende partnere, si: Shqipëria, Belgjika, Kanada, Kroacia, Maqedonia Veriore, Britania e Madhe, Polonia, Turqia, dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.