Florim Shehu ishte larguar nga Kosova në vitin 2015. Nga ajo kohë ai jeton në qytetin Change të Francës.
Në muajin qershor të këtij viti, si pasojë e motit të keq, ky qytet u përball me vërshime.
Më 9 qershor, kur Florimi ishte bërë gati që të dilte jashtë me familjen, ai kishte parë njerëz të cilët rrezikonin të humbnin jetën nga përmbytjet që ishin shkaktuar nga rritja e nivelit të ujit.
Pavarësisht rrezikut që kishte për jetën, ai thotë se menjëherë është futur në ujë, ku arriti t’i shpëtonte një grua dhe dy fëmijët e saj, njëra ende foshnje.
Duke folur nga Franca për Radion Evropa e Lirë, Florimi shpjegon se si kishte shpëtuar familjen e parë.
“Shpejt e kam larguar atë gruan që ka qenë me dy fëmijë, i vogli diku pesë vjeç e gjysmë ose gjashtë dhe bebja një muaj. Kur nëna më ka thënë se është me bebe, me të thënë të drejtën jam shokuar”, tha Florim Shehu.
Pak minuta më vonë, në një shtëpi tjetër, Florimi ishte futur sërish në ujë duke shpëtuar edhe tre persona të tjerë.
“Po ta jepte Zoti në atë moment një forcë, nuk e di, nuk po mundem tani edhe të flas, tani janë disa gjëra që nuk mund të flas, edhe një javë ndoshta nuk mund ta tregoj të gjithë atë, sepse ishin momente emocionuese kur t’i arrin aty dhe duhet patjetër t’i japësh forcë dikujt që veçse është në gjendje shoku”, tha Shehu.
Pavarësisht se kishte rrezikuar jetën, Florimi thotë se do të vepronte njëjtë po që se sërish do të gjendej në një situatë të tillë.
“Nëse më thonë edhe njëherë, nëse do ishe kthyer në atë kohë, a hyn sërish?, A hyj? Hyj sërish. Faktikisht prej kësaj ngjarje i kam mësuar dy gjëra që do të më duhen gjatë gjithë jetës, do t’i kem parasysh. E para është se kam arritur të shoh fytyrën e personave që mendojnë se po vdesin dhe ju ndihmon dikush. Këtë gjë nuk mund ta shohësh gjithmonë në jetë. E dyta, kam arritur t’i fitoj zemrat e 70 milionë njerëzve këtu”, tha Shehu.
Pasi ishte larguar nga Kosova tri vjet me parë, Florimi kishte kërkuar azil në Francë dhe më vonë atij iu kishte bashkuar edhe familja, gruaja dhe të dy fëmijët.
Pas veprimit heroik tre muaj më herët, më 8 shtator të këtij viti, Florimi ishte njoftuar nga autoritetet komunale se shteti francez ia kishte lëshuar atij dhe familjes lejen e qëndrimit, ku atij i ishte organizuar pritje zyrtare falënderimi.
Florimi tani është shndërruar në një person të njohur për komunitetin që jeton në këtë qytet, ndërkohë që ka pranuar urime të shumta edhe nga përfaqësues të ndryshëm politikë.
Komuniteti ka ndërmarr edhe një iniciativë për të mbledhur të holla në mënyrë që atij t’i blihet një veturë e re, meqë vetura që kishte iu dëmtua ditën kur ndodhën vërshimet. /REL