
Policia e Kosovës ka njoftuar përmes një komunikate për media se operacioni policor i nisur të martën në mëngjes në veri të Kosovës për arrestimin e disa zyrtarëve policorë, doganierëve dhe qytetarëve të përfshirë në kriminalitet është shtrirë edhe në Skenderaj e Drenas.
“Operacioni policor po shtrihet në disa rajone të ndryshme, përfshirë komunat Zveçan, Zubin Potok, Leposaviç, Mitrovicë Veri, Mitrovicë Jugu, Skenderaj dhe Drenas, deri më tani ka rezultuar me arrestimin e disa qytetarëve dhe disa zyrtarëve policorë të nacionaliteteve të ndryshme si shqiptarë, serbë dhe boshnjakë, të cilët kanë qenë të dyshuar”, thuhet në njoftimin e policisë, përcjellë gazeta inFokus.
Por, ky institucion ende nuk i ka bërë të ditur emrat e rreth 30 të arrestuarve në këtë aksion që u shtri në të pjesë të ndryshme të Kosovës.
Se kush ishin drenicakët, të cilët u arrestuan të martën si të përfshirë në kontrabandë dhe aktivitete tjera të dyshimta bashkë me serbët e veriut, mbetet të mësohet në vazhdim nga deklarimet zyrtare të institucioneve kompetente.
Megjithatë, Policia e Kosovës, ka bërë të ditur se gjatë aksionit përveç hasjes në rezistencë të armatosur në veri të Mitrovicës, ka hasur edhe në disa bllokada të rrugëve, të cilat kanë penguar qarkullimin e mjeteve zyrtare, me ç’rast është detyruar të përdoren mjetet e nevojshme për lirimin e rrugëve me qëllim të vazhdimit të operacionit policor.