Sporti kosovar është tronditur sot me mëngjes. Një lajm i kobshëm e kaploi futbollin kosovar. Futbollisti i ri Erjon Morina ka ndërruar jetë.
Pas sulmit kardiak që e pati disa javë më parë, futbollisti i deritashëm i Vushtrrisë nuk ia doli dot.
Përkundër shpresave dhe lutjeve të mëdha që arritën gjithandej, ai u nda nga jeta në moshën 22-vjeçare.
Morina kishte pësuar sulm në stërvitje dhe prej disa javësh ishte i shtrirë në spital duke luftuar me jetën, derisa sot u dorëzua përfundimisht, shkruan “Gazeta Express”.
Lajmin për vdekjen e Erjonit e ka konfirmuar babai i tij, Ilir Morina nëpërmjet rrjeteve sociale.
“Ylli babit ike në qiell. Na thave zemrat Erjon. Do jetojmë të ngrysur me kujtimet më të bukura për ty. Do jesh ylli që do na ndriçon gjithmonë”, ka shkruar ai.
Erjon Morina e kishte nisur karrierën te FC Prishtina, derisa kishte luajtur edhe për skuadra të tjera në Kosovë si Besa Pejë, Drenica, 2 Korriku, Llapi, Malisheva, Ulpiana dhe së fundmi ishte pjesë e Vushtrrisë.
Federatat sportive, klubet kosovare dhe sportistët i kanë shprehur ngushëllimet e tyre për humbjen e jetës së futbollistit.
Lajmi për vdekjen e futbollistit i ka shokuar të gjithë sot pasi që Erjonit iu ndalën ëndrrat në gjysmë.