Shpend Maxhuni u përfol si një nga zyrtarët e lartë përgjegjës për deportimin e gylenistëve, dhe kërkohej që të shkarkohej nga drejtori i Policisë së Kosovës, bashkë me ministrin e Brendshëm dhe shefin e AKI’së.
Këta dy të fundit u shkarkuan, por njeriu i Hashim Thaçit, u shpërblye me një post të ri. Ai nga sot do të drejtojë shërbimin sekret të Kosovës. Por, kush është Shpend Maxhuni, dhe si ishte rrugëtimi i tij deri në krye të AKI’së, i tërhequr për dore nga Hashim Thaçi kryeministër dhe president, shkruan Gazeta Metro.
Në pjesën e parë të vitit 2010, në fund të muajit mars, ish-kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi kishte marrë vendim për ta shkarkuar Sheremet Ahmetin nga detyra e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës.
Por, shumë shpejt kryeministri Thaçi ishte detyruar ta shkarkojë ushtruesin e detyrës Behar Selimin për shkak se ai kishte vendosur të angazhohej politikisht në Partinë Demokratike të Kosovës. Në fund të muajit tetor të vitit 2010, ish kryeministri Thaçi me rekomandim të ministrit të atëhershëm Bajram Rexhepi pati emëruar Reshat Maliqin drejtor të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës për një periudhë tre vjeçare.
Por, Maliqi këtë post do ta mbante vetëm për më pak se nëntë muaj, deri në muajin korrik të vitit 2011. Ai ishte shkarkuar nga ish kryeministri Thaçi pa ndonjë arsyetim, gjë që e kishte detyruar të deponojë edhe padi në gjykatë, njërën kundër Hashim Thaçit ndërsa tjetrën ndaj Qeverisë së Kosovës për ndërprerje të Marrëdhënies së Punës.
Dalja në skenë e Shpend Maxhunit
Pas shkarkimit të Maliqit në skenë doli zëvendësdrejtori i atëhershëm i Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni i cili ishte emëruar nga ish ministri Bajram Rexhepi. Maxhuni deri në emërimin në këtë pozitë ishte zëvendës i zëvendësdrejtorit për operativë në Policinë e Kosovës.
Por, aspiratë e Maxhunit ishte kreu i Poliicsë së Kosovës, gjë që e dëshmonte edhe konkurrimi i tij për pozitën e drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Kosovës. Dhe ky synim iu realizua vetëm disa muaj më vonë, menjëherë pas shkarkmit të Reshat Maliqit. Me vendim të ish kryeministrit Hashim Thaçi, Shpend Maxhuni u emërua Drejtor i përgjithshëm i Policisë së Kosovës në tetor të vitit 2011 për një periudhë 3 vjeçare.
Që prej asaj kohe, një prej institucioneve më të rëndësishme të sigurisë në Kosovë deri sot ishte udhëhequt nga Shpend Maxhuni. Ai, nuk u degradua, por besimi ndaj Thaçit iu shpërblye me një besim të ri. Tani do të drejtojë një institucion po ashtu të sigurisë, me peshë edhe më të madhe se Policia. AKI në njëfarë forme kontrollon edhe Policinë e Kosovës, përmes verifikimit që u bën zyrtarëve policorë.