Në pushtet prej 27 vitesh, herë si kryeministër e herë si president, i pasur po ashtu, ai është njeriu që udhëhoqi fushatën e suksesshme të Malit të Zi për Pavarësinë.
Ai u zgjodh kryeministër për të parën herë në ditëlindjen e tij të 29, në vitin 1991, e është i vetmi udhëheqës i një ish-republike jugosllave, që ka mbijetuar në krye që prej shpërbërjes së Federatës së vjetër.
Fillimisht, ai ishte një nga të preferuarit e Sllobodan Milosheviqit.
Kur Sllovenia, Kroacia, Maqedonia dhe Bosnje-Hercegovina shpallën Pavarësinë në vitet ’91-’92, Gjukanoviç mbështeti vendimin e Malit të Zi për të qëndruar bashkë me Serbinë në Federatën jugosllave, tashmë shumë të reduktuar.
U desh të pritej deri në vitin 1997, që ai të distancohej me regjimin e Milosheviqit, kur kreu deri më atëherë i pathyeshëm, por tani i dobësuar, po përpiqej të anulonte fitoret e kundërshtarëve të tij në zgjedhjet lokale në Serbi.
Po atë vit, ai siguroi fitoren në zgjedhjet presidenciale të Malit të Zi dhe nisi punën për më shumë autonomi, e pse jo edhe për Pavarësi.
Gjatë sulmeve të NATO-s mbi Jugosllavi, si pasojë e reprezaljes së Milosheviqit mbi Kosovën, ai deklaroi se Mali i Zi nuk ishte palë në konflikt.
E kjo i dha atij pëlqimin dhe mbështetjen e konsiderueshme financiare nga BE-ja dhe SHBA-të.
Admirimi i Perëndimit për Gjukanoviqin u shndërrua në frustrim, kur udhëheqësi malazez këmbëngulte për Pavarësinë edhe pas rënies së Milosheviqit nga pushteti, në vitin 2000.
Ai e udhëhoqi vendin drejt Pavarësisë dhe partinë e tij drejt fitoreve të tjera.
Tani, tregoi edhe një tjetër herë se është i pamposhtur dhe e paraqet veten si mbështetës të Perëndimit dhe garantues të vazhdimësisë së shtetit malazez.
Pavarësisht se shpeshherë është vënë në shënjestër të akuzave për korrupsion, në vendin që nuk ka as një milion banor, ai duket se di ku të godasë.
Sesa gjatë do të vazhdojë të qëndrojë në krye Gjukanoviq, kjo është një tjetër çështje, pavarësisht se në disa raste, ai vetë ka folur për planet për t’u tërhequr nga politika dhe për t’u përqendruar te biznesi.