970×90
970×90

Kush është Kemal Kiliçdaroglu, Gandi turk i cili po e rrëzon Erdoganin nga pushteti?

Kush është Kemal Kiliçdaroglu, Gandi turk i cili po e rrëzon Erdoganin nga pushteti?

Me numërimin ende në progres Kemal Kiliçdaroglu, lideri i opozitës që po lufton për të rrëzuar Recep Tayyip Erdogan, u bën thirrje ndjekësve të tij: Fiksioni, i cili filloi me 60%, tani ka rënë nën 50.

Kjo, një referencë e qartë për të dhënat e publikuara nga agjencia “Anadolu”, e cila fillimisht i dha Erdogan 59% si për të thënë, mos u dorëzojmë, luftojmë.

Dhe është ndoshta momenti i vetëm i kësaj fushate të gjatë elektorale.

Gandi turk, siç e quajnë për njëfarë ngjashmërie fizike me Mahatma-n, por edhe për sjelljet e qeta, shfaq një entuziazëm të pazakontë.

Ata e akuzuan se nuk ishte karizmatik, se nuk mund të tërhiqte zvarrë turmat, por ai, 74 vjeç, jo i njohur në skenën ndërkombëtare dhe me një mbiemër të komplikuar që sigurisht nuk ndihmon, është i bindur se me butësi dhe arsye do të ketë sukses në arritjen e qëllimit: rivendosjen e shtetit ligjor në Turqi.

Javët e fundit, ai u ka folur votuesve nga kuzhina modeste e shtëpisë së tij me një gotë çaj ose është ulur në një tendë për të ngrënë oriz dhe mish viçi mes njerëzve të tij.

‘Unë jam një nga ju’ është mesazhi që ka kaluar.

Nëse Erdogan ka shpenzuar qindra miliona dollarë për një pallat të ri presidencial më të madh se Shtëpia e Bardhë, Kremlini dhe Pallati Buckingham, ai premton të kthehet në vendin e mëparshëm, pallatin Çankaya Köskü.

Përveç kësaj, ai siguron se nuk do të kandidojë për një mandat të dytë.

Origjinat

Ashtu si Erdogani, edhe Kiliçdaroglu ka origjinë modeste, i pari ka lindur në Kasimpasa, një lagje e varfër e Stambollit, i dyti në një fshat në Turqinë qendrore.

Në fëmijëri të njëjtat këpucë për vite me radhë e shoqëruan.

Ndërsa studionte për ekonomi në Universitetin e Ankarasë, ai ecte në këmbë për të kursyer në transport.

Edhe sot fjalimet e tij i shkruan shpesh në anën e pasme të fletëve të përdorura.

Ai punoi për gati 30 vjet si nëpunës civil dhe, kur doli në pension, ekspozoi korrupsionin e drejtuesve dhe zyrtarëve.

Që nga viti 2010 ai ka qenë lider i Partisë Popullore Republikane (CHP), partia e Ataturkut, i cili themeloi Turqinë pas rënies së Perandorisë Osmane 100 vjet më parë.

Në karrierën e tij ai shënoi nëntë humbje kundër AKP-së dhe Erdoganit deri në vitin 2019, kur një aleancë e ngjashme me atë të këtij viti arriti të pushtojë Ankaranë dhe Stambollin, dy bastione që dukeshin të pathyeshme.

Vendimi për të braktisur dogmën e Kemalizmit, i bazuar në një laicizëm të acaruar dhe në një nacionalizëm që nuk nënkuptonte njohjen e pakicave, kurdët në fillim, shënoi pikën e kthesës.

Një strategji që ka sjellë mijëra votues myslimanë dhe kurdë.

Vitet e fundit ai është akuzuar se nuk ka kundërshtuar ashpër ndryshimet e imponuara nga Erdogan dhe shtrëngimin e të drejtave të njeriut.

Edhe marshi i famshëm për drejtësi, i cili në vitin 2017 e pa atë të ecë 400 kilometra, së bashku me qindra mijëra njerëz, për të protestuar kundër arrestimit të një prej deputetëve të tij, Enis Berberoglu, përveç zhurmës fillestare, nuk pati rezultate konkrete.

Në të vërtetë, ka nga ata që theksojnë se kreu i CHP-së kishte miratuar ligjin që hoqi imunitetin deputetëve dhe që kishte lejuar arrestimet.

‘Ne jemi në duart e një burokrati që është shumë i kujdesshëm në shumicën e rasteve”, tha Soli Ozel, një profesor i marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin Kadir Has në Stamboll.

Por tani për tani, ai është shpresa e vetme për turqit që kërkojnë ndryshim nga Erdogani.

‘Këto nuk janë zgjedhje për të hapur portat e parajsës’, tha Ozel.

‘Janë zgjedhjet ato që mbyllin dyert e ferrit’.

Feja Alevite

Për herë të parë, Turqia mund të ketë një president alevi, një pakicë që është persekutuar tmerrësisht prej shekujsh.

Është një përparim kopernikan në një vend të goditur nga përçarjet, turqit kundër kurdëve, sunitët kundër alevitëve, islamistët kundër laikëve.

Më 19 prill, gjyshi, siç e quajnë të rinjtë, në një video historike që kishte më shumë se 100 milionë shikime, deklaroi me krenari anëtarësimin e tij, duke thyer një tabu të madhe: Mendoj se ka ardhur koha të diskutojmë me ju për një gjë shumë të veçantë dhe një temë shumë delikate. Unë jam alevit, jam mysliman i sinqertë”.

Janë rreth 5 milionë, nga 85 milionë turq, ata që pretendojnë një islam tjetër, nuk shkojnë në xhami, por në cemevi (falje) ku, gra dhe burra së bashku, zhvillojnë diskutime filozofike, këngë dhe valle, pjesë e ritualit.

Si në kohën osmane, ashtu edhe nën Republikën, ata gjithmonë kanë qenë të përjashtuar, ndonjëherë edhe të masakruar nga ultranacionalistët ose nga ndjekësit më sektarë të Islamit si heretikë.

Ata lejohen të pinë alkool. Ja pse Erdogan e quan Kiliçdaroglu ‘pijanec’.

Por ai thjesht buzëqesh.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin.Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

Related posts