
Diskutimi për ndërtimin e lagjes së re te Liqeni i Badovcit, po e përplas Komunën e Prishtinës dhe Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor. Krejt kjo pasi të martën Komuna ka publikuar disa dokumente, ku thuhet se Ministria e ka obliguar t’ia lëshojë lejen e kushteve ndërtimore pronarit të tokës, Rahman Haradini. Ministria ndërkaq thotë se ky pretendim i Komunës së Prishtinës nuk është i vërtetë
Çështja e ndërtimit të një lagje të re te Liqeni i Badovcit ka nxitur një konflikt në mes të Komunës së Prishtinës dhe Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.
Komuna e Prishtinës në dhjetor të vitit të kaluar ka lëshuar leje për kushtet ndërtimore, për pronarin e tokës ku është planifikohet të kryhen ndërtimet.
Të martën, Komuna bëri me dije se fillimisht e kishte refuzuar kërkesën e pronarit të tokës, mirëpo MMPH’ja e kishte obliguar ta lëshojë lejen për kushtet ndërtimore.
“Në shtator të vitit 2017 pala ka aplikuar për kushte ndërtimore në pronën private në afërsi të Badovcit. Pjesa më e madhe është jashta Zonës II së Liqenit. Në vitin 2018 Komuna ka marr Vendim Refuzues për Kushtet, siç e keni të bashkangjitur në foton e parë, për shkak të vendimit të qeverisë për zonën e mbrojtur. KUSHTET NDËRTIMORE NUK JANË LEJE. Janë kushtet për të aplikuar për leje. Pala është ankuar në shkallën e dytë në Ministri të Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe Ministria ka marr vendim ku e ka pranuar ankesën e palës dhe ka obliguar Komunën e Prishtinës të veprojë sipas vendimit”, thuhet në reagimin e Komunës së Prishtinës, të publikuar të martën mbrëma.
E ndaj kësaj deklarate të KP’së, ka reaguar Ministria e Mjedisit.
“Në asnjë mënyrë MMPH në Vendimin e evidentuar për shqyrtimin e çështjes administrative juridike sipas të ankimuarit, nuk ka obliguar Komunën e Prishtinës, të veproj në kundërshtim me dispozitat ligjore të përcaktuara në legjislacionin në fuqi, por përkundrazi, bazuar në këto Vendime, MMPH ka obliguar Komunën e Prishtinës që të veprojë sipas: Planit Zhvillimor Komunal i cili është në fuqi; Vendimit të Qeverise se Kosovës Nr. 16/127 dt. 24 02 2013 i për Përcaktimin e Zonave Mbrojtëse te burimit Ujor përreth Liqenit të Badofcit; Ligjit Nr. 04/L-110 për Ndërtim dhe Udhëzimit Administrativ MMPH 06/2017 Për Përcaktimin e Procedurave për Përgatitjen dhe Shqyrtimin e Kërkesave për Kushtet Ndërtimore dhe Lejen Ndërtimore dhe Leje rrënimi për Kategorinë e I dhe te II të ndërtimeve”, thotë MMPH’ja në reagimin e saj.
Madje, MMPH’ja thekson se Komuna e Prishtinës nuk i ka kthyer përgjigje Ministrit Fatmir Matoshi, në kërkesën e tij për sqarimin rreth shqetësimit të qytetarëve lidhur me iniciativën për ndërtim te Liqeni i Badovcit.
“Për më tepër MMPH gjegjësisht ministri Matoshi me datë 13.01.2020 i dërgon shkresë komunës së Prishtinës përkatësisht Kërkesë për informim (Nr.110/20) lidhur me rastin në fjale. Komuna akoma nuk ka kthyer përgjigje. MMPH-ja ka angazhuar inspektoret e saj të vizitojnë Komunën e Prishtinës dhe të verifikojnë dokumentet e lëshuara lidhur me rastin në fjalë dhe t’ju bëjnë me dije se në çfarëdo rasti të kenë shkelje eventuale, do të ndermirën masa meritore”, thekson komunikata.