
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një intervistë për agjencinë e lajmeve “AFP” ka bërë thirrje për pranim të shtetit në Bashkimin Evropian dhe në NATO.
Sipas tij, pushtimi rus i Ukrainës nënkupton që të dyja organizatat duhet ta bëjnë më të lehtë dhe më të shpejtë rrugën për pranimin e kandidatit.
“Në situata të jashtëzakonshme, nuk mund të sillemi normalisht, prandaj, pranimi në BE dhe në NATO nuk mund të bëhet në mënyrat e vjetra. Është imperativ që Brukseli, si kryeqytet i të dyjave, NATO-s dhe BE-së, të rimendojë një mënyrë të re të zgjerimit në Ballkanin Perëndimor”, ka thënë Kurti.
Ai deklaroi se Putini do të përdorë edhe akterët që i kontrollon në Ballkanin Perëndimor.
“Teksa synojnë konflikte të reja, Ballkani Perëndimor në përgjithësi dhe Kosova në veçanti, janë në rrezik. Në të kaluarën, presidenti rus na përmendte një herë në muaj. Tani disa herë në javë”, ka paralajmëruar ai për rrezikun që vjen nga Putini dhe për raportet e afërta me Serbinë dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç”.

I pari i ekzekutivit, ka bërë thirrje tek Bashkimi Evropian dhe NATO-ja që të forcojnë krahun lindor edhe në Ballkanin Perëndimor.
Ai u shpreh se “presidenti rus, Vladimir Putin, është i paparashikueshëm, është lider i luftës dhe jo lider i paqes”.
Ndërkaq situatën aktuale në Ukrainë nga pushtimi i agresionit rus ai e ka quajtur si “shokuese”.
“Është vështirë e besueshme të besosh atë që po ndodh – por askush s’mund të pretendojë se është befasuar”.
Kosova ka marrë mbështetjen e disa shteteve anëtare për pranim në NATO dhe BE, por shtetet mosnjohëse shihen si pengesa.
Nga rajoni, Maqedonia, Mali i Zi, Shqipëria dhe Serbia janë në faza të ndryshme të procesit të pranimit në BE.