Kryeministri Albin Kurti ka shprehur ngushëllime për familjarët e tre viktimave të aksidentit në Çubrel të Skenderajt.
Përmes një postimi në Facebook, Kurti u ka uruar shërim të shpejtë pesë të lënduarve nga ky aksident.
Kryeministri ka bërë apel për kujdes gjatë vozitjes.
Postimi i plotë:
Lajmi për aksidentin e trafikut ku 3 persona humbën jetën në rrugën rajonale Mitrovicë-Pejë na jep dhimbje të madhe.
Dua të shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta për këtë ngjarje trishtuese, duke iu drejtuar familjarëve të viktimave e duke shpresuar që të kenë forcën për ta përballuar humbjen e tyre, e njëkohësisht uroj shërimin sa më të lehtë dhe sa më të shpejtë për 5 të lënduarit e këtij aksidenti.
Konsideroj se shumë shpejt do të kemi një pasqyrë edhe më të plotë për rastin, ndërkohë që marr shkas për të bërë thirrje për kujdes të përgjithshëm në komunikacionin automobilistik, për të evituar sa më shumë fatkeqësitë.