Sot në Prishtinë do të mbahet një tubim mbështetës për zgjedhjet në Luginën e Preshevës.
Aty do të marrë pjesë edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili shkon aty për të përkrahur kandidatët për kryetar të Preshevës dhe Bujanocit, Ardita Sinani, përkatësisht Ragmi Mustafi.
Ky event organizohet për qytetarët e Luginës, që jetojnë në Kosovë.
Tubimi nis nga ora 18:00, në Amfiteatrin e Fakultetit Juridik.
Kandidati për kryetar të Komunës së Bujanocit nga Alternativa për Ndryshim, Arbër Pajaziti e ka quajtur ndërhyrje flagrante tubimin në Prishtinë të Partisë për Veprim Demokratik ku do të marrë pjesë edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Së fundmi kryeministri Kurti është kritikuar për përfshirjen e tij në zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare të Maqedonisë së Veriut.
Kjo është vlerësuar si përzierje në punët brendshme e një shteti fqinj, që mund të sjellë pasoja për Kosovën dhe shqiptarët e Maqedonisë së Veriut. /Reporteri.net/