970×90
970×90
970×90
970×90
970×90

Kurti për Hovenierin: Kam respekt të lartë për të, por mua më ka votuar populli e jo ambasadori

Kurti për Hovenierin: Kam respekt të lartë për të, por mua më ka votuar populli e jo ambasadori

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka thënë se mendon se ka bërë zgjedhjen e duhur për t’iu kundërvënë grupeve të caktuara kriminale serbe që po tentojnë destabilizimin e veriut.

Sipas Kurtit, Kosova iu është përgjigjur kërkesave të ndërkombëtarëve për t’i shtyrë zgjedhjet, por se kryetarët duhet të dalin në vend të punës.

“Shpeshherë në politikat qeveritare, në vendimet ekzekutive, nuk ke opsione ideale a as optimale. Pra vendimet, opsionet ideale janë luks, e nganjëherë madje edhe optimale. Në këtë kontekst, unë mendoj se kam bërë zgjedhjen më të mirë të mundshme”, tha Kurti për KTV-në.

“Në dhjetor i kemi shtyrë zgjedhjet për katër muaj. Thanë shtyni zgjedhjet, i shtymë zgjedhjet. Mandej i mbajtëm zgjedhjet. I njohën zgjedhjet. Të huajt na u lutën mos me mbajt betimin, mirëpo vend tjetër të punës nuk mund të ketë”.

Kryeministri Kurti tha se vazhdimisht komunikon me ambasadorin amerikan Hovenier por se s’mund të pajtohet çdoherë me të.

Mesazhi i tij ishte se “duhet me dashtë këtë vend”.

“Komunikimin me ambasadorin amerikan e kam të përditshëm, takimet me të gati të përjavshme. Por mos prisni prej meje si kryeministër i Republikës, që të pajtohem tërë kohën, për gjithçka. Njeriu nuk është identik as me vetveten sepse çka mendon sot, nuk është e thënë se e mendon edhe pas një muaji. Pra, njeriu ka edhe vetë dilema. Kritika në shoqëri është e shëndoshë. Por duhet me dashtë këtë vend shumë, duhet me dashtë këtë vend, e dashnia për këtë vend kurrë s’ka qenë më e qartë sesa tani që duhet të matet me luftimin e këtyre grupeve fashiste”, tha tutje.

Ndonëse tha se ka respekt për ambasadorin amerikan, Kurti shtoi se populli e ka vendosur në karrigen e kryeministrit, jo ambasadori Hovenier.

“Unë kam vlerësimin dhe respektin më të lartë për ambasadorin Hovenier, mund të them në mënyrë fort të veçantë krahasuar edhe me të gjithë ambasadorët e tjerë, por mua më ka votuar populli, nuk më ka emëruar ambasadori. Duhet ta kuptoni këtë gjë, mua më ka votuar populli i Kosovës, populli i Kosovës të voton, populli edhe të heqë. Nuk është emërim kryeministri, kryeministri është zgjedhje e atij që është burim i sovranitetit”, ka thënë Kurti.

Related posts