Kryeministri Albin Kurti i ka njoftuar mërgimtarët për Dritaren për Investime të Diasporës.
Kurti ka thënë se përmes kësaj platforme, do të garantojnë huatë e bizneseve me pronarë nga mërgata që duan të investojnë në Kosovë, shkruan Reporteri.net.
“Ajo është zgjidhja ndaj vështirësive që mërgata jonë ndërmarrëse ka pasur deri më tani në qasjen në financim në bankat e vendeve ku ata jetojnë, por edhe në bankat tona në mungesë të historikut kreditor”, ka shkruar Kurti.
Ai ka bërë me dije se Dritarja për Investime të Diasporës u mundëson atyre që të aplikojnë për kredi deri në tre milionë euro nëpër bankat e Kosovës dhe pjesëmarrja e tyre me kapital duhet të jetë së paku 20%. Pas aplikimit dhe nëse përmbushen të gjitha kriteret, Fondi Kosovar për Garanci Kreditore do të ofrojë garanci për kreditë deri në dy milionë euro.
“Vendi ju pret. Kosova ju mirëpret”, ka shkruar tutje Kurti.