Lëvizja Vetëvendosje e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti është përfshirë edhe zyrtarisht në garën për pushtet në Maqedoninë e Veriut duke iu bashkuar koalicionit të opozitës shqiptare në një koalicion.
Kryetari i Lëvizjes Demokratike, Izet Mexhiti shkroi në Facebook se në hapjen e zyrës së përbashkët të këtij koalicioni në Shkup mori pjesë edhe Bekim Qoku, këshilltar i Kurtit.
“Lëvizja VETËVENDOSJE i bashkëngjitet Lidhjes Europiane për Ndryshim. Sot me datë 24.12.2023, në zemër të Shkupit, gjegjësisht në Sheshin “Skenderbeu”, Lidhja Evropiane për Ndryshim bëri hapjen e zyres së përbashkët të koalicionit. Në hapjen e shtabit morën pjesë kryetarët e tre partive Alternativa, Lëvizja Besa dhe Lëvizja Demokratike ku për herë të parë edhe zyrtarisht paraqitet edhe Lëvizja Vetëvendosje nga Kosova, me përfaqësuesin e saj, z. Bekim Qoku si pjesë e frontit opozitar, ku para të pranishmëve mbajtën edhe fjalë rasti”, shkroi Mexhiti.
Në këtë ngjarje, ai ka thënë se me inkuadrimin e partisë së Kurtit, do ta bëjnë “ndryshimin e shumëpritur” edhe në Maqedoninë e Veriut.
“Më gëzon fakti që në këtë ditë të bukur, frontit tonë opozitar iu bashkangjit edhe Lëvizja VETËVENDOSJE, dhe pas ndryshimit në Kosovë dhe Luginë, bashkarisht do e sjellim ndryshimin e shumëpritur edhe tek shqiptarët e Maqedonisë së Veriut”, tha Mexhiti.
Bekim Qoku, këshilltar i Kurtit tha se LVV-ja “po bëhet shtylla e katërt e këtij fronti opozitar për të sjellur ndryshimin e shumëpritur në Maqedoninë e Veriut”.
“Këtu sot po flas edhe si ish-anëtar i Aleancës për Shqiptarët, duke e ditur mentalitetin dhe frymën e strukturës së kësaj partie, i ftoj të bëhen pjesë e këtij koalicioni fitues që ta bëjmë ndryshimin e madh bashkë”, tha ai