
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka ftuar bizneset zvicerane që të investojnë në Kosovës.
Kurti përmes një postimi në Facebook, ka bërë të ditur se këtë deklaratë e ka thënë në Samitin e Investitorëve në Cyrih, Zvicër.
Ai tutje ka prezantuar mundësitë që ofron Kosova për investitorët e huaj.
“Në Samitin e Investitorëve në Cyrih, Zvicër, të organizuar nga Qeveria e Kosovës, ftova bizneset zvicerane që të investojnë në Kosovë. Para më shumë se 60 ndërmarrësve nga fusha e infrastrukturës, energjisë, prodhimit dhe teknologjisë së informacionit, bashkë me delegacionin qeveritar, prezantuam mundësitë që ofron Republika e Kosovës për investitorët dhe investimet e huaja.” – ka shkruar Kurti.
Kryeministri i Kosovës ka thënë se në këtë samit ka theksuar përparimin e shënuar për këto dy vite.
“Theksuam përparimin e shënuar në dy vitet e fundit, sundimin e ligjit, stabilitetin institucional, politikat fiskale të zbatueshme në vend, planet inventive të Qeverisë dhe fuqinë tonë punëtore të re dhe të talentuar.” – ka thënë Kurti.