
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti pas takimit me Ndihmës sekretaren e shtetit për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike, Karen Donfried i është adresuar edhe mediave, shkruan Gazeta Projekti.
Kurti ka thënë se është gjithmonë kënaqësi të mirëpres, dhe të takohet e të diskutoj me përfaqësues të institucioneve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
“Javën e kaluar patëm për vizitë një delegacion dypartiak nga Senati amerikan, me të cilët diskutuam për shumë gjëra. Edhe sot folëm për sukseset e shtetit të Kosovës dhe rolin e kontributin e madh që Shtetet e Bashkuara të Amerikës vazhdojnë ta japin në zhvillimin dhe demokratizimin e vendit tonë”, ka thënë Kurti.
Tutje, Kurti ka treguar se i ka treguar ndihmës sekretares së shtetit edhe për arritjet e qeverisjes së tij.
“Biseduam për arritjet e qeverisë sonë gjatë vitit të parë dhe rëndësinë e bashkëpunimit më të thellë ndërmjet dy vendeve tona, sidomos në fushën e ekonomisë, të mbrojtjes dhe të sigurisë.
Vitin e kaluar, Kosova ka marrë pjesë në mesin e 16 vendeve mikpritëse dhe gjithsej 27 vendeve pjesëmarrëse në ushtrimin e madh ushtarak ndërkombëtar “Defender Europe 21”. Po ashtu, vitin e kaluar e realizuam edhe misionin e parë paqeruajtës përkrah ushtrisë amerikane në Kuvajt. Dhe deri më tani ne kemi strehuar 1471 refugjatë afganë. Këto janë dëshmi të forta të kapaciteteve të Kosovës dhe të kontributit tonë përkrah Shteteve të Bashkuara të Amerikës në sigurinë rajonale, evropiane e globale”, ka thënë Kurti.