970×90
970×90
970×90
970×90

Kurti e Vuçiq në Zvicër: Kryeministri i Kosovës s’e mohon që mund të ketë takim

Kurti e Vuçiq në Zvicër: Kryeministri i Kosovës s’e mohon që mund të ketë takim

Kryeministri i Kosovës ishte ankuar disa herë se Bashkimi Evropian nuk ka organizuar takime mes tij dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiq në kuadër të intensifikimit të bisedimeve për planin franko-gjerman. Sipas tij, më 18 gusht ishin marrë vesh që takimet të ishin të përmuajshme. Por këto ditë, Kurti po qëndron në Zvicër, ku do të marrë pjesë edhe në Forumin Ekonomik të Davosit. I pranishëm, Vuçiq. A pritet të ketë një takim?

Gazeta gjermane, Der Bund,më konkretisht gazetari Stephen Israel, raporton se një takim mund të ndodhë nën margjinat e këtij forumi.

“Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti vjen në Zvicër këtë javë dhe viziton, mes tjerash, Forumin Ekonomik Botëror në Davos, ku mund të takohet me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq.” – thuhet në fillim të intervistës.

Forumi i Davosit ndërkohë, pritet që të zgjatë nga 16 janari e deri më 20 janar, ku shumë liderë të Ballkanit Perëndimor do të jenë pjesëmarrës, përfshirë Kurtin e Vuçiqit.

Kurti s’e mohon

Fillimisht, pyetja që iu bë Kurtit ishte se cili do të jetë mesazhi i tij gjatë pjesëmarrjes në këtë forum.

Vizitoni dhe investoni me ne! Sepse Kosova është një vend progresiv, pro-evropian dhe demokratik. Kosova është një histori e dyfishtë suksesi. Në vitin 1999, shtetet demokratike të NATO-s ndaluan gjenocidin e Serbisë në Kosovë. Që atëherë, ne kemi dëshmuar se zhvillimi ekonomik dhe demokracia mund të ecin paralelisht.” – ka thënë ai.

Pyetja tjetër që iu bë Kurtit ishte: “A do të takoheni me presidentin serb Aleksandar Vuçiq dhe a do të kërkoni një zgjidhje në marrëdhëniet e bllokuara mes Beogradit dhe Prishtinës?”

Kurti nuk e mohoi, e as s’e pohoi, megjithatë, tha se kjo varet nga emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirsolav Lajçak.

“Kjo varet nga i dërguari i posaçëm i BE, Miroslav Lajçak. Ne jemi të interesuar për të arritur një normalizim gjithëpërfshirës midis dy vendeve, bazuar në njohjen reciproke. Ne jemi gjithmonë të gatshëm për një dialog konstruktiv.” – tha shefi i Qeverisë së Kosovës.

Plani franko-gjerman dhe marrëveshja finale

I prezantuar si plani franko-gjerman, ndërsa tash po quhet “plan evropian”, një propozim i ri mund të çojë në marrëveshje përfundimtare mes dy vendeve.

Madje, shumë prej ndërmjetësuesve të procesit të dialogut, kanë bërë të ditur se një gjë e tillë mund të arrihet në muajt e parë të vitit 2023, më konkretisht në mars.

Gjatë muajit dhjetor të vitit 2022, kryediplomati evropian, Josep Borell, tha se ky propozim e ka përkrahjen e 27 vendeve të BE-së.

Ne e kemi ofruar atë propozim dhe duhet ta shtyjmë para urgjentisht. Jam i lumtur që kemi marrë përkrahjen e fortë të të gjithë ministrave për këtë iniciativë. Tash është propozim i 27 shteteve të BE-së,” – kishte thënë Borrell.

Përveç BE-së, edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë konfirmuar se e përkrahin një propozim të tillë, gjë që u ripërsërit së fundi edhe nga nënsekretari amerikan, Derek Chollet i cili qëndroi javën e kaluar për vizitë në Kosovë.

Ky plan, madje ishte temë diskutimi edhe në takimin e tij me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

“U diskutua edhe për procesin e dialogut, planin Evropian dhe për raportet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. U theksua nevoja për angazhim aktiv dhe konstruktiv në dialog dhe për intensifikim të përpjekjeve drejt normalizimit të plotë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë me njohjen reciproke në qendër.” – thuhej në një njoftim të Zyrës së Kryeministrit.

Related posts