Kurti në seancën e sotme plenare është pyetur edhe për reciprocitetin me Serbinë, duke thënë se e gjithë përpjekja e tyre është që si ta zbatojnë atë.
Sipas tij, Serbia bën përgjithësisht barriera sporadike ndaj mallrave të Kosovës por ka edhe barriera sistematike.
“Për ta zbatuar reciprocitetin që ne jemi zotuar, kemi nevojë që t’iu bëjmë ballë suksesshëm barrierave sporadike dhe atyre sistematike. Kjo nënkupton që neva na duhet kohë për t’u përgatitur që ta zbatojmë të plotë reciprocitetin. Është e domosdoshme që ne të përgatitemi që mos të dështojmë në zbatim. Pse ne mund të dështojmë në zbatim, sepse jemi qeveria e parë e cila merremi me reciprocitetin“, tha ai.
Kurti shtoi se reciprocitetin nuk e vendosin për hakmarrje ndaj dikujt por e kanë si parim që derivon nga koncepti i barazisë.
“Ne do ta zbatojmë reciprocitetin në kohën kur do të jemi të përgatitur për zbatim të plotë të tij. Kjo është çështje e qeverisë tonë dhe kjo do të bëhet. Dikujt mund të mos i pëlqej por ne këtë do ta bëjmë. Sa për votat e opozitës për, edhe në këtë aspekt nuk kam nevojë, siç e dini”, tha ai.
Seanca po vazhdon me debatin për AKP-në dhe pikat e rendit të ditës.