
Nuk ka asnjë detyrim për datën kur duhet vënë pema e Krishtlindjeve. Edhe nëse dëshironi ta bëni në shtator kur i ktheheni shkollës, askush nuk ju pengon. Megjithatë ju e dini se pema e vënë jashtë sezonit, nuk është aspak argëtuese. Duke qenë se tradita për ta vënë pemën është muaji dhjetor, me siguri shumë nga ju i janë gëzuar këto ditë zbukurimit të saj në shtëpitë apo ambientet tuaja.




Vendosja e pemës është traditë pagane dhe nëse doni ta ndiqni, data e duhur për ta bërë këtë do të ishte dita e solsticit dimëror, në mes të 21 dhe 22 dhjetorit. Është momenti i kthimit të dritës, dita ka ardhur duke u shkurtuar dhe ne fillojmë të lëvizim drejt sezonit të ri.
Këtë vit në Tiranë festat erdhën më herët se kurrë, me vendosjen e pemës në shesh që më 16 nëntor.

Në Itali vihet më 6 ose 7 dhjetor.
Në Evropën Veriore, data e simbolit që parashikon Krishtlindjen është Shën Lucia. Prandaj dhe vënia e pemës bëhet me 13 dhjetor.

Nëpër postime të ndryshme e kemi parë tashmë se shumë amerikanë e kanë vënë pemën, përfshirë edhe Shtëpinë e Bardhë dhe Qendrën Rockefeller. Në Amerikë pema nis të vihet nëpër shtëpi që Ditën e Falenderimeve, të enjten e parafundit të nëntorit. Dhe që nga fundi i nëntorit deri në dhjetor, e sheh pothuajse kudo.


Por, kur duhet të hiqet pema e Krishtlidnjeve?
Zakonisht në mbrëmjen e 6 janarit shumë familje e kanë hequr pemën për shkak të atyrë që besojnë në ardhjen e Befanës. Por ka edhe nga ata që mendojnë se kjo e fundit është thjeshtë një legjendë urbane dhe mund ta shtyjnë edhe dy ditë heqjen e pemës.
Por përfundimisht, ajo që ka rëndësi është gëzimi që sjell pema e Krishtlindjeve në shtëpinë tuaj. Kujdesuni që ta ruani në një vend të thatë që ta përdorni sërish vitin e ardhshëm.