Analisti i i njohur nga Shqipëria, Ilir Kulla ka deklaruar të enjten se aktakuza kundër presidentit të Kosovës dhe nëntë ish luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për krime luftë e ka një qëllim kryesor, zhbërjen e pavarësisë së Kosovës.
Ai është shprehur se prapa kësaj aktakuze qëndron Serbia e mbështetur nga Rusia dhe shtete tjera evropiane që nuk e kanë pranuar pavarësinë e Kosovës.
“Ne mund t’i shohim faktet që e sollën Kosovën në këtë gjendje. Aktakuza ndaj presidentit të Kosovës, Hashim Thaci dhe nëntë personave të tjerë nga Gjykata Speciale, është një tentativë e pastër për të dëmtuar dhe bërë të mundur shpërbërjen e pavarësisë së Kosovës. Kjo është e iniciuar nga Vuçiç dhe Rusia që kurrë nuk kanë hequr dorë nga shkatërrimi i shtetit të Kosovës. Serbinë dhe Rusinë e kanë mbështetur edhe qarqe në perëndim. Vuçiç është politikan i zoti. Ai ka qenë ministër në kohën e Millosheviçit. Ai përfaqëson politikën serbe në 30-40 vitet e fundit. Më vjen keq që Rama dhe Thaçi u treguan naiv dhe e morën për budalla, por Vuçiç doli i fituar”, tha Kulla.
Kulla ka thënë në emisionin “Open” se fatkeqësisht liderët e Kosovës kanë qenë shumë të zënë duke e luftuar njëri tjetrin dhe kanë bërë një gabim tepër të madh duke e krijuar Gjykatën Speciale.
“Është e qartë që në krye të historisë është zhbërja e njohjes së Pavarësisë së Kosovës. Politikanët e Kosovës duke luftuar me njëri-tjetrin kanë harruar arsyen pse janë aty. Ka qenë gabim i Thaçit dhe gjithë të tjerëve që e votuan këtë Gjykatë. Thaçin e kthyen se me shpalljen e akuzave ishte e qartë që ndodhi direkt pas vizitës së Presidentit Vucic në Rusi, ku takoi Putin. Rusia dhe Serbia nuk e kanë hequr çnjohjen e Kosovë kurrë nga axhenda e tyre politike dhe gjendemi në pozitë qesharake që nga një anë i gjuajmë me gurë Perëndimit dhe nga ana tjetër i gjuajmë Gjykatës”, shtoi ai.
Ai shtoi se pas kësaj qëndron Serbia e mbështetur nga Rusia dhe shtete të tjera të Evropës që nuk e kanë pranuar pavarësinë e Kosovës dhe vazhdojnë të sulmojnë politikanët e Kosovës në këtë mënyrë.
“Nuk ka një fuqi apo dy fuqi që s’janë dakort që kur u ngrit kjo Gjykatë, qëllimi është zhbërja e Pavarësisë së Kosovës duke goditur autoritetet politike të shtetit të Kosovës, nga Serbia dhe sponsorët e saj ndërkombëtarë,” tha Kulla.