
Partia Demokratike e Kosovës është duke mbajtur Kuvendin Zgjedhor të degës në Prishtinë.
Në këtë kuvend, kandidati për kryetar të kësaj dege, Uran Ismaili, ka kërkuar besimin e anëtarëve të PDK-së.
Procesin e brendshëm zgjedhor Ismaili e ka cilësuar masovik, duke e përmendur shtrirjen e PDK-së në 75 nëndegë, e për të cilat tha se janë numri më i madh i nëndegëve që PDK ka pasur në Prishtinë.
Ismaili tha se këto zgjedhje janë mësim nga përvojat e kaluara dhe mobilizim për fitoret e së ardhmes.
“Këto zgjedhje të brendshme janë përpjekje për të mësuar nga përvojat e kaluara dhe mobilizuar çdo potencial e kapacitet për fitoret e së ardhmes. Vullneti i fortë i partisë sonë, i kalitur në luftën çlirimtare dhe i formësuar në shumë fitore të zgjedhjeve, është dëshmi dhe frymëzim yni për të qenë parti e parë në Prishtinë”.
Kuvendi i organizuar në Prishtinë, sipas tij, është pikë kthese në kryeqytet.
“Ky kuvend, prezenca e juaj, puna juaj dhe mijëra aderime, shënojnë një pikë kthese në rrugën tonë politike në Prishtinë. Prova të këtij mobilizimi janë qindra takime me këshilla inicues e mijëra qytetarë që iu përgjigjën thirrjes sonë”, deklaroi Ismaili.
Ai beson se mobilizimi i simpatizantëve dhe anëtarëve ka bërë që kësaj here PDK të jetë më e fortë dhe më e gatshme për të luftuar “degradimin e Prishtinës”
“Ashtu sikur mobilizimi ynë, edhe vëmendja që Qendra pat për Degën e Prishtinës, këtë herë ishte e paprecedent. Puna juaj në terren aktivizoi mbështetjen e Qendrës. Në një dinamikë dialektike, gjatë gjithë kohës njëra forconte tjetrën. Rezultatet janë të mrekullueshme. Një PDK e fortë që shtrihet në gjithë Prishtinën. Një PDK që është inkluzive në shtrirje dhe më demokratike në vendimmarrje. PDK tani është organikisht më e fortë, më kohezive dhe më unike. Tani, PDK është më e gatshme për të luftuar degradimin e Prishtinës dhe më vitale për t’u përballur me këdo që shtyn përpara degjenerimin e qytetit tonë”.

Kandidati i PDK-së për kryetar të Prishtinës, teksa ka renditur problemet me të cilat përballen qytetarët e kryeqytetit ka thënë se platforma e Dekadës së Re është e vetmja zgjidhje.
“Platforma e Dekadës së Re është zgjidhja për Kryeqytetin dhe së bashku mund ta jetësojmë atë. Nga ju, kërkoj përkrahje për ta vazhduar mobilizimin dhe forcimin e PDK-së në Prishtinë. Të punojmë bashkë për një PDK që do t’i mbajë dyert e hapura për secilin qytetar të Prishtinës”, ka deklaruar Ismaili.
Ismaili i cili është njëherësh edhe nënkryetar i PDK-së ka thënë se me qeverisjen e Prishtinës do të kthej vëmendjen tek qytetarët e siç tha ai të harruar nga qeverisjet e deritanishme.
“Qytetarëve të harruar nga qeverisjet e deritashme, do t’u afrohemi dhe do t’i ftojmë që edhe ata ta bëjnë hapin e tyre drejt dyerve tona të hapura dhe bashkërisht ta mundësojmë ndryshimin. Lagjet tona do të shndërrohen në hapësira ku ndryshimi pozitiv zë vend, ku qytetarë të veçantë angazhohen në projekte të përbashkëta, ku pakënaqësitë individuale shndërrohen në aspiratë kolektive. Nga brendia e qytetit, në lagjet periferike e deri në fshatra, Partia Demokratike do ta etablojë veten si adresa e vetme dhe më e mirë e ndryshimit të Prishtinës”, premtoi Uran Ismaili, kandidat i PDK-së për degën e Prishtinës.