Ai thotë se në dialog përballë Serbisë duhet pasur parim bazë Kushtetutën e Republikës së Kosovës në bazë të së cilës, Pavarësia, sovraniteti dhe tërësia territoriale e funksionimi i shtetit janë të pa prekshëm. Idenë e korrigjimit të kufijve e sheh si një ide tronditëse, mbi të cilën thotë se janë zhvilluar të gjithë luftërat në Ballkan.
Ai thotë se vetëm me përfshirjen e SHBA-së mund të zgjidhet problemi Prishtinë-Beograd, prandaj sipas tij ky involvim i tyre ne dialogun ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit duhet të jetë sa më i madh që është e mundur pasi vetëm në këtë mënyrë mund të arrihet një zgjidhje e drejtë. Ai i sheh si të arsyeshme kërkesat e LDK-së dhe Vetëvendosjes për përfshirje në dialog dhe thotë se ato duhet të diskutohen. Zgjedhjet e reja sipas Kuçit mund të ndryshojnë balance e forcave politike në vend por jo edhe pozitën e Kosovës në dialog.
Sa i përket çështjes së vendosjes së taksës, Kuçi thotë se duhet t’i bëhet e qartë BE-së që një vendim i tillë nuk është një parakusht për dialog, por vetëm një përgjigje kundër veprimeve të Serbisë. Kuçi në krye të PDK-së pas zgjedhjeve të brendshëm e sheh Kadri Veselin, dhe thotë se ai do të jetë edhe kandidat për kryeministër pasi Haradinaj të përfundoj mandatin e plotë.
Gazeta Express: Kosova dhe Serbia kanë hyrë në fazën finale të dialogut. Ndërkohë për të arritur një marrëveshje përfundimtare, shpesh herë kemi dëgjuar se do të duhet të bëhet një kompromis i dhimbshëm nga të dy palët. Cili është projeksioni i një marrëveshje historike Kosovë-Serbi sipas jush, dhe cili mund të jetë kompromisi që mund t’i dhemb Kosovës?
Hajredin Kuçi: Raportet Kosovë-Serbi, respektivisht kriza e këtyre raporteve përveç dhunës së Serbisë për dekada me radhë që kulmoi në luftën e armatosur të viteve 98/99 të udhëhequr nga UÇK-ja dhe të ndihmuar nga NATO, janë zhvilluar edhe tri faza të dialogut në dy dekadat e fundit, pa përfshirë ato tentativat e viteve 90-99. Negociatat në Rambuje, ato të Vjenës si dhe Negociatat e fundit nga 2011 deri më tash. Të tri fazat kanë pasur rezultatet dhe kompromiset e palës së Kosovës që në raport me bashkësinë ndërkombëtare janë vlerësuar, por në raport me Serbinë nuk e kanë përmbyllur kapitullin e konfrontimit dhe mbylljes së çështjeve. Negociatat në Rambuje kanë rezultuar me lirinë e Kosovës, ato në Vjenë me Pavarësinë e Kosovës, këto të fundit me tendencën për integrim të pjesës së veriut të Kosovës. Tashi ka mbetur ajo që në një kohë e kam quajtur Traktat i Paqes. Ne e dimë se çdo negociatë fillon me qëllim të arritjes së marrëveshjes dhe çdo marrëveshje në vete përmban kompromisin. Edhe më herët në veçanti në Vjenë na është thënë se është marrëveshja finale dhe është kompromisi i fundit nga ana jonë. Negociatat e reja tregojnë se nuk janë përmbyllur çështjet në raportet tona dhe mbi të gjitha partnerët ndërkombëtar nuk kanë mundur të realizojnë pritjet tona nga marrëveshja paraprake e Vjenës. Ne kemi plotësuar zotimet tona, por integrimi i pjesës së veriut ka ngecur dhe integrimi i Kosovës në mekanizmat ndërkombëtare nuk është realizuar sidomos për anëtarësim në disa institucione ndërkombëtare si dhe në njohjet nga pesë shtetet e Bashkimit Evropian. Negociatat e reja kërkojnë me siguri kompromis të ri. Ne jemi të detyruar në dialog dhe më befason fakti se tash nuk ka asnjë kundërshtar të fuqishëm politik të dialogut përkundër asaj se ne kemi shtetin sovran dhe të pavarur. Kompromisi i Vjenës ka qenë në limitet e funksionimit të shtetit mbi parimet e balancave të të drejtave etnike dhe shtrirjes gjeografike të sovranitetit. Tash duhet të kemi parime bazë Kushtetutën e Republikës së Kosovës, në veçanti që Pavarësia, sovraniteti, tërësia territoriale dhe funksionaliteti i shtetit nuk duhet të preken. Ne duhet ta ruajmë kahjen e negociatave që nënkupton se duhet të bindim partnerët ndërkombëtar dhe ata pastaj Serbinë dhe partnerët e saj në institucione ndërkombëtare dhe jo e kundërta, të kërkohet që të bindim Serbinë dhe pastaj të tjerët. Kahja e parë garanton zgjidhje të drejtë, ndërsa e dyta kompromise të papërballueshme për ne deri në skepticizëm për ndonjë marrëveshje.
Gazeta Express: A e përjashtoni korrigjimin e kufijve si ide për të vazhduar drejt një marrëveshje finale historike Kosovë-Serbi?
Hajredin Kuçi: Ideja për ndryshime territoriale është tronditëse kudo, në veçanti në rajonin tonë. Edhe luftërat në rajonin tonë janë zhvilluar për kontroll territorial dhe çështje etnike. Ideja e korrigjimit duhet të zbërthehet çka nënkupton dhe të jetë e detajuar edhe si ide para se ajo të shtrohet në negociata. Nëse ideja është për demarkim të kufirin me Serbinë, është normale, nëse është më shumë se kjo është krejt çështje tjetër që unë kam rezervat e mia. Ne duhet të ruajmë ADN-në e shtetit dhe të Kushtetutës sonë. Duhet të kuptojmë se çdo marrëveshje krijon obligime për ne dhe gjeneratat që vijnë.
Gazeta Express: Për më shumë se një dekadë Brukseli është duke ndërmjetësuar bisedimet. Edhe pas gjithë këtyre viteve mes dy shteteve ka probleme thelbësore. A vlerësoni se BE-ja është treguar e ngathët në raport me problemin Kosovë-Serbi, dhe a mendoni se përfshirja e SHBA-së në dialog do të mund të zhbllokojë ngërçin shumë vjeçar që po e mban peng zhvillimin e Kosovës?
Hajredin Kuçi: Ne jetojmë në Evropë dhe kemi synim integrimin në Union Evropian dhe raportet me UE janë pjesë e synimeve tona politike por edhe te identitetit tonë shtetëror dhe tjetër. UE është një organizim më heterogjen dhe si theksohet zgjidhjet në UE duhet t’i kërkojmë shpesh në 28 adresa, jo vetëm në Bruksel. Kjo shpesh vështirëson zgjidhjen ose krijon pafuqi të ndikimit të akterëve që ishin ndërmjetësues. Zgjidhjet e mira për Kosovën kanë ardhur kur nuk ka pasur hendek në mes të SHBA-së dhe UE-së. E dimë rolin vendimtar të SHBA-së në përcaktimin e zgjidhjes së krizave në botë dhe veçanti në Kosovë. Pa ndihmën dhe përkrahjen e SHBA-ve që disa dekada asnjë problem në botë nuk është zgjidhur e aq më pak në raportet Kosovë-Serbi. Përfshirja më e madhe e SHBA-ve krijon siguri për zgjidhje të drejta, të qëndrueshme dhe që zbatohen. Involvimi i SHBA-ve, ndikon edhe në homogjenizimin e qëndrimit të Bashkimit Evropian. Roli i SHBA-së duhet të jetë sa më i madh i mundur dhe vendimtar, por asnjëherë nuk duhet të balansohet në këto negociata me rolin e Rusisë. Pra një involvim më i madh i SHBA-së i ndihmon zgjidhjes së drejtë të çështjes duke ndihmuar arritjen e marrëveshjes në përafrim të qëndrimeve dhe fuqizon vetë rolin e BE-së në rajon.
Gazeta Express: LDK-ja dhe Vetëvendosje nuk po i bashkohen qeverisë në dialogun me Serbinë dhe vazhdimisht për kërkojnë zgjedhje të reja. Pse po e mbajnë një qëndrim të tillë karshi një procesi i cili është jetik për Kosovën dh e mendoni që prapa një kërkese të tyre për legjitimitet, qëndron një luftë për poena politik dhe cili është mesazhi juaj për këto dy parti?
Hajredin Kuçi: Çështja e parë që duhet theksuar është se edhe këto dy parti nuk janë kundër dialogut, që është qasje konsistente e LDK-së dhe ndryshim pozitiv i Vetëvendosjes. Sa e kam vërejtur ato kanë hezitime me mënyrën e dialogimit, akterët dhe rolin pjesëmarrës të tyre. Këtoj janë çështje që edhe mund të dialogohen në mes akterëve vendor, por pjesëmarrja active e tyre është e domosdoshme edhe për hir të veprimeve legale dhe legjitimitetit demokratik. E dijmë se çdo marrëveshe ndërkombëare e natyrës së tillë kërkon 2/3 e numrit të përgjithshëm të deputetëve për ratifikim, që është consensus I domodoshëm legal-kushtetues dhe pjesëmarrja e partive që përfaqësojnë legjiteitet të theksuar demokartikpoashtu kërkohet ngase marrëveshjet e tilla krijojnë obligime për të sotmen dhe të ardhmen pa marrë parasysh kush qeveris sot apo nesër. Demokracia nënkupton veprim jo vetëm refuzim dhe çështjet nacionale krijojnë obligime për të sotmen dhe të ardhmen, pa marrë parasysh kush qeveris sot apo nesër. Demokracia nënkupton veprim jo vetëm refuzim dhe çështjent nacionale krijojnë obligime më shumë se sa të qenurit opozitë apo opozitë. Edhe nëse kanë verejtje për çështjet që I theksova apo tjetër me pjesëmarrje active munden edhe t’i parandalojnë apo edhe kontribuojnë pozivitisëht, e kundërta mund të sjell ndonjë poen politike por jo për forcim të pozicionit tonë negociues dhe as marrëveshje më të mirë. Historia jonë politike tregon se konsensusi nacional nuk arrihet lehtë por poashtu tregon se në momente të cakutara është arritur dhe se compromise në menagjim të negociatave dhe role Brenda ekipeve negociuese ka pasur. Besoj se tashi do të krijohet një ambient i tillë. Në negociata nuk jemi të vetmit akter ne si shqiptarë, është edhe pala ndërkombëtare dhe ne duhet të koordinohemi në mes vete dhe me ata në radhë të parë. Çështja e zgjedhjeve mund të ndryshojë apo fuqizojë ndonjë pozitë politike partiake, por nuk e ndryshon rolin dhe përgjegjësinë për dialogun. Secili që është sot në pozitë politike partiake në pozitë apo opozitë do të ketë përgjegjësi dhe rol, tash dhe pas zgjedhjeve. Por kërkesat për ngeociata dhe arritje të marrëveshjes në pikëpamje kohore, duket se janë më të shpejta se çdo afat kohor për zgjedhje si dhe duhet te krijojmë hapësirë demokratike për afate të rregullta zgjedhore. Zgjedhjet nuk ndihmojnë në arritje të konsensusit nacional dhe as forcim të pozicionit të Kosovës në procesin negociator. Për mendimin tim zgjedhjet nuk janë zgjidhje.
Gazeta Express: Ndërkohë duket se punët i ka komplikuar edhe më tepër taksa e vendosur ndaj Serbisë. A e vlerësoni si një veprim të duhur, dhe a mendoni se Kosovës më shumë i duhet një miqësia e fortë me SHBA-në sesa një problem më tepër me Serbinë [ duke kujtuar kërkesën e SHBA-së për heqje të taksës, dhe rezistencën e Haradinajt për të mos e hequr taksën]
Hajredin Kuçi: Taksa nuk është problemi më i madh e as i vetëm që kemi me Serbinë. Këtë duhet t’ua themi partnerëve ndërkombëtar. Është një kundërmasë përballë shumë veprimeve negative të Serbisë ndaj Kosovës. Taksa nuk është kundër logjikës së qarkullimit të lirë të mallrave, individëve, shërbimeve apo kapitalit që janë edhe si vlera të BE-ë dhe qëllime tona politike dhe ekonomike. Ne duhet të sqarojmë partnerët ndërkombëtar se taksa nuk duhet të jetë parakusht për dialog dhe se në dialog duhet të shkohet pa kushte. Nëse pranohet logjika e vendosjes se parakushteve për dialog atëherë ne kemi një mijë parakushte. Duhet të jemi aktiv si shoqëri për forcim të pozitës sonë për trajtim të barabartë në arenën ndërkombëtare dhe nga secili. Është mirë që të vazhdojë dialogu dhe të shikohet mundësia e marrëveshjes finale e cila do të rregullonte pastaj edhe çështjen e taksës. Pra dialogu dhe marrëveshja duhet ta zgjidhin problemin e taksës dhe jo e kundërta, taksa atë të dialogut dhe marrëveshjes. Duhet të ndryshojmë kahjen e zgjidhjeve me ndihmën e partnerëve ndërkombëtar.
Gazeta Express:Partia në të cilën ju jeni nënkryetar shumë shpejt pritet që t’i ketë zgjedhjet e brendshme. Në dy legjislaturat e fundit ndërkohë PDK-ja nuk e ka mbajtur postin e kryeministrit, dhe përkundër faktit që kishte dalë e para, i është dashur që t’i plotësojë teket qe partive të vogla për ta bërë Qeverinë. Madje ka shënuar dhe një rënie të lehtë. A mendoni se kryetari i ardhshëm i PDK-së duhet të jetë një kandidat i cili do të jetë edhe kryeministër i ardhshëm i Kosovës [ a do të lëshojë pe përsëri partia juaj për postin e kryeministrit], dhe a është ky kandidat, Kadri Veseli ?
Hajredin Kuçi: PDK ka filluar procesin zgjedhor të brendshëm dhe tanimë janë mbajtur mbi 300 kuvende të nëndegëve si dhe një degë ka përfunduar zgjedhjet. Presim që në pjesën e parë të vitit të kemi Konventën Zgjedhore. Është një proces shumë demokratik me rregulla të qarta për votuesit si dhe mundësi të barabarta për konkurrim. Nga ajo që është vërejtur presim një angazhim të njerëzve të strukturuar deri tani në PDK, por edhe i shumë njerëzve të rinjë apo edhe subjektet tjera politike. Është edhe një përfshije e strukturuar e njerëzve me kredenciale në lokalitetet ku jetojnë për çka jemi shumë të kënaqur dhe ftojmë edhe në vazhdim të rritjet kjo pjesëmarrje. PDK është partia më garantuese e politikave zhvillimore të vendit. Në këto zgjedhje do të ketë garë edhe për kryetar të partisë. Kandidati i cili garon edhe në nivel lokal dhe në veçanti për kryetar të PDK-së do të ketë një program zhvillimor për vendin që përkon me synimet që të jetë kryeministër i vendit. Unë jam ithtar i bashkë dyzimit të posteve, si në shumë vende evropiane, atë të kryetari të partisë me atë ta kandidatit për Kryeministër, njëjtë edhe për kryetar dege dhe kryetar komune. Deri më tashi kemi kandidaturën e kryetarit aktual z. Veseli i cili ka edhe platformën ‘Dekada e Re’, që unë e nënkuptoj evropianizimin e Kosovës. Pres që z. Veseli të vazhdojë të jetë kryetar i PDK-së dhe kandidat i PDK-së për kryeministër dhe kryeministër i ardhshëm i vendit në zgjedhjet e rregullta pas përfundimit të mandatit të z. Haradinaj. Ai i ka kredencialet e kërkuara dhe mund të realizojë pritjet e qytetarëve të vendit. Kompromiset deritanishme për poste të kryeministrave janë bërë me vetëdije nga PDK për qëllim të institucioneve në vitin 2014 edhe pse ishim fitues ndërsa në rastin e dytë është konkurrim i përbashkët elektoral me ndarje të përgjegjësive paraprake.