Kryekuvendari, Kadri Veseli, njëherësh kryetar i PDK-ë, është shprehur i kënaqur me ardhjen në Kosovë të Presidentit të Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker dhe delegacionit të lartë që ai i printe, duke theksuar se vizita “ishte një konfirmim i perspektivës së qartë europiane të Kosovës”.
Këtu është postimi i plotë i Kryetarit Veseli në rrjetin social:
“Takimi dhe biseda me Presidentin e Komisionit Europian, Jean Claude Juncker dhe zyrtarët tjerë të lartë të BE-së, ishte një konfirmim i perspektivës së qartë europiane të Kosovës.
BE-ja, me gjithë vështirësitë që ka, po e qartëson pozicionin ndaj Kosovës.
Për fat të keq, një pjesë e përfaqësuesve të popullit, duke u thirrur zëshëm në emër të tij, nuk reflektuan sot për të ratifikuar Marrëveshjen e Shënimit të Kufirit me Malin e Zi dhe për t’i hapur rrugë liberalizimit të vizave për qytetarët tanë.
Sot, ne mund të ishim të suksesshëm dhe krenarë. Izolimi dhe dështimi nuk janë opsione që ndihmojnë qytetarët tanë.
Shtyrja e seancës, si kërkesë disaditëshe për konsensus, dhe mosvotimi pikërisht në ditën e vizitës së zyrtarëve më të lartë të BE-së, nuk do t’i ndihmojë lëvizjes së lirë të qytetarëve tanë.
Unë do të vazhdoj angazhimin, me përkushtim të plotë, për t’i hapur rrugë liberalizimit, duke arritur konsensusin e domosdoshëm që në ditët e ardhshme të ratifikohet Marrëveshja për Kufirin me Malin e Zi”, ka shkruar kryetari Veseli në facebook.