
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, në 11-vjetorin e vdekjes përkujton veprimtarin Nimon Alimusaj.
Ai ka thënë se Nimon Alimusaj i përket plejadës së personaliteteve më të spikatura të kombit që u udhëhoqën nga ideali më sublim – ai i lirisë.
“Ai u bashkëngjit në grupin e intelektualëve e atdhetarëve të tjerë që u angazhuan me tërë qenien në lëvizjen për pajtimin e gjaqeve, duke pajtuar shumë familje dhe unifikuar qytetarët e Kosovës në përpjekjet e tyre për çlirim. Nimoni ishte veprimtar i palodhshëm i lirisë dhe pavarësisë së Kosovës. Ai kishte virtyte të larta njerëzore e kombëtare”, ka thënë Abdixhiku.
Ai ka theksuar se Nimon Alimusaj punoi e veproi në rrethana të vështira për vendin tonë, megjithatë ai asnjëherë nuk u tremb dhe nuk e zvogëloi aktivitetin e tij.
“Nimon Alimusaj ishte anëtar i Kryesisë së LDK-së, deputet dhe profesor i gjuhës shqipe. LDK-ja dhe të gjithë qytetarët e Kosovës do ta kujtojnë veprën e Nimon Alimusajt me nderimet më të larta”, thuhet në deklaratën e Abdixhikut.