
Gjykata e Pejës e ka shpallur fajtor për konflikt interesi kryetarin e Klinës, Zenun Elezaj dhe e ka dënuar me 4 mijë euro gjobë.
Gjykata po ashtu ia ka ndaluar ushtrimin e profesionit në administratën publike për dy vite.
Elezaj akuzohet nga Prokuroria për rastin e punësimit të vajzës së tij në Qendrën e Mjekësisë Familjare “Nënë Tereza” në Klinë. Trupi gjykues në këtë rast është udhëhequr nga gjyqtarja Violeta Husaj- Rugova.
Sipas këtij vendimi, Elezaj duhet të paguajë gjobën brenda 6 muajve. Lidhur me këtë vendim të gjitha palët kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit.
Prokuroria e Pejës pretendon se kryetari Zenun Elezaj edhe pse e kishte ditur se vajza e tij ka për të aplikuar në konkursin e datës 2 shkurt 2018, ka formuar komisionin për zhvillimin e procedurave për krijimin e marrëdhënies se punës lidhur me po të njëjtin konkurs.
Sipas aktakuzës, komisioni të cilin Elezaj e kishte formuar, kishte përzgjedhur vajzën e kryetarit si më të suksesshmen, duke e punësuar atë në Qendrën e Mjekësisë Familjare “Nënë Tereza” në Klinë.
Në dosjen e Prokurorisë thuhet se kallëzimi penal kundër kryetarit Elezaj është ushtruar nga Agjencia Kundër Korrupsion në Kosovë.
Në një opinion ligjor të AKK-së dhënë për Prokurorinë e Pejës thuhet se Kryetari i Komunës përjashtohet nga procedurat vendimmarrëse dhe administrative që kanë të bëjnë me ndonjë çështje në të cilën ai apo ndonjë anëtar i familjes se tij ka interes personal apo financiar./ KALLXO