Kryetarët e degëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) në mbledhjen e mbajtur të enjten kanë vlerësuar se vendi ka hyrë në krizë të thellë institucionale dhe politike.
“Kryetarët e degëve e vlerësojnë qëndrimin e Kryesisë së LDK-së, të dhënë në mbledhjen e fundit të Kryesisë së LDK-së, lidhur me zhvillimet e fundit politike. Është e qartë se Qeveria e pakicës nuk mund të udhëheqë me vendin dhe se temat e rëndësishme për vendin nuk mund të adresohen nga një qeveri e rënë”, është thënë në komunikatën e LDK-së.
Sipas kësaj komunikate, kryetarët e degëve të LDK-së kanë intensifikuar përgatitjet për zgjedhjet e parakohshme.
“Në ditët në vijim, Kryesia e LDK-së do të jenë në secilën degë të LDK-së për të komunikuar me strukturat e degëve dhe për të intensifikuar përgatitjet për zgjedhje. Degët e LDK-së janë të gatshme t’i nënshtrohen procesit zgjedhor dhe janë të bindur në mbështetjen e qytetarëve”, është thënë në këtë komunikatë.