
Shefi i Qeverisë, Avdullah Hoti, ka marrë me vete sot dy Ministra për të shkuar në një kompani private në Ferizaj. Kryeministri me vete ka marrë Blerim Kuqin e AAK’së dhe Vesel Krasniqin e NISMA’s.
Kjo vizitë po bëhet pasi ditë më parë udhëheqësit e AAK’së dhe NISMA’s lëshuan akuza ndaj Shefit të Ekzekutivit se po vepron pa u koordinuar sidomos në dialogun me Serbinë.
“I shoqëruar nga ministri i Ekonomisë dhe Ambientit, Blerim Kuqi dhe ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Vesel Krasniqi, vizituam sot kompaninë “Eurometal” në Ferizaj. Kjo kompani është shembull i punës, inovacionit dhe zhvillimit me resurse të veta, duke shfrytëzuar maksimalisht potencialin që ka tregu i Kosovës dhe tregu ndërkombëtar”, ka njoftuar Hoti në FB.
Ai ka premtuar përkrahje për sektorin privat.
“Qeveria do të vazhdojë mbështetjen për sektorin privat përmes politikave qeveritare, përmes Pakos për rimëkëmbje ekonomike, e cila pritet që shpejt të fillojë të zbatohet në praktikë dhe të kalohet nga pjesa e ndihmës emergjente për bizneset, kah rimëkëmbja dhe zhvillimi ekonomik.”, ka shtuar ai.
Shefi i Qeverisë ka premtuar se rimëkëmbja ekonomike do të ndodhë edhe përmes Ligjit të proceduar në Kuvend për t’u përballur me pasojat ekonomike të COVID-19.
“Ministrat veç e veç nëpër sektorë të vet janë duke i zhvilluar tanimë ato instrumente dhe po presim që shumë shpejt, sapo të miratohet buxheti, ne të fillojmë në mënyrë sa më intensive të mbështesim sektorin privat edhe përmes resurseve tona si qeveri, por edhe përmes granteve, donacioneve dhe kredive ndërkombëtare, një pjesë e të cilave u miratuan para dy ditësh në Kuvendin e Kosovës”, tha kryeministri Hoti,