Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, është rikthyer përsëri në hotelin në afërsi të selisë së BE-së ku kanë mbajtur takimet me Scholz, Macron dhe Meloni, raporton Euronews.
Kurti po takohet aktualisht me përfaqësuesin e BE-së, Miroslav Lajcak.
Edhe Josep Borell më herët ka deklaruar se mund ta braktisë mbledhjen e Këshillit të BE-së për takime me Kurtin dhe Vuçiqin.
Ai tha se do të provohet nëse mund të gjendet një zgjidhje brenda dialogut, pasi s’ka zgjidhje tjetër.
“Erdha vonë sepse erdha prej një takimi tjetër me Kosovën dhe Serbinë…Kur jemi te Kosova dhe Serbia – puna po vazhdon dhe ndoshta duhet ta lëmë mbledhjen e BE-së dhe të provojmë të ulemi sërish me të dy liderët për të provuar nëse ne mund të gjejmë një zgjidhje brenda dialogut. S’ka zgjidhje tjetër – ajo shkon përmes dialogut”, tha Borrell para gazetarëve, shkruan Reporteri.net.
Për takimin foli edhe Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel. Ai tha se de-përshkallëzimi dhe kthimi në normalizimin e marrëdhënieve mes Prishtinës e Beogradit është thelbësor.
“Me Josep Borell dhe kolegët e BE-së, u takuam me kryeministrin Albin Kurti dhe më pas me presidentin Aleksander Vucic. De-përshkallëzimi dhe kthimi në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës është thelbësor. Pres që Këshilli i BE-së të diskutojë më tej”, ka shkruar Michel në “X”.