
Kryeministri i Republikës së Kosovës, z. Avdullah Hoti, një ditë pasi që Kuvendi miratoi vendimin për bashkë-dërgimin e kontingjentit të Forcës së Sigurisë së Kosovës në misione jashtë vendit me Gardën Kombëtare të Ajovës, vizitoi kazermën “Adem Jashari” në kryeqytet. Transmeton Gazeta Projekti.
Kryeministri Hoti para pjesëtarëve të FSK-së tha se, vendimi i djeshëm është ndër hapat më të rëndësishëm historikisht, që ka bërë Kosova si shtet dhe si Forcë e Sigurisë, drejt integrimit të plotë në strukturat euroatlantike.
‘’Besoj se qytetarët dhe liderët tepër vizionarë kanë pasur mundësi ta parashikojnë në fillim të viteve ’90-ta, atëherë kur është themeluar Ushtria e Republikës së Kosovës, Forcat e Armatosura të Republikës së Kosovës, që shteti i Kosovës të jetë pjesë dhe të integrohet plotësisht në strukturat euroatlantike’’, nënvizoi ai.
Kryeministri Hoti theksoi se qytetarët e Kosovës e dinë se sa e rëndësishme është për një popull që ka nevojë për paqe dhe stabilitet, të ketë mbështetjen e miqve dhe partnerëve ndërkombëtarë.
Ai nënvizoi se ndjehet vërtetë i privilegjuar që në mandatin e kësaj qeverie u miratua vendimi për bashkë-dërgimin e kontingjentit të Forcës së Sigurisë së Kosovës në misione jashtë vendit me Gardën Kombëtare të Ajovës.
Gjatë vizitës në kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë, kryeministri Hoti ishte i shoqëruar nga zëvendëskryeministri Driton Selmanaj dhe nga anëtarë të kabinetit të tij.