970×90
970×90
970×90
970×90

Krijimi i një librarie është profesion i veçantë. – Krenare Kuçi-Bozhdaraj

Krijimi i një librarie është profesion i veçantë. – Krenare Kuçi-Bozhdaraj

Shpërndarja e librit, krijimi i një librarie është profesion i veçantë. Është një veprimtari që lexuesit i bën të lumtur. Autorët i bën të lumtur. Por se sa është e lumtur një librare, zgjodha të flas me një librare të re, me Krenare Kuçi-Bozhdaraj.

1. Si e prezantoni veten dhe librarinë zonja Kuçi Bozharaj ?

Krenare Kuçi Bozharaj: „Në vitin 2019 ne filluam punën me qëllim që t’i bëjmë librat ndërkombëtarë të përkthyer në gjuhën shqipe dhe librat shqip të qasshëm për diasporën tonë në të gjithë Evropën me cilësinë e zakonshme zvicerane dhe evropiane.
Me mbi 1500 libra, në bashkëpunim me mbi 60 shtëpi botuese dhe librari lokale, ne jemi jo vetëm të parët, por edhe libraria online më e madhe shqiptare në diasporën evropiane dhe zvicerane. E sa me përket mua: unë jam një njeri i thjeshtë që i vlerëson gjërat e vogla, e mbi të gjitha librat“

2.Emri yt është Krenare, me çka krenohesh ti?

Krenare Kuçi Bozharaj:“Sigurisht që krenohem me shumë gjëra rreth jetës sime, por më së shumti krenohem që jam librashitëse“

3. Si erdhi ideja për librariashqiptare.ch?

Krenare Kuçi Bozharaj:“Unë jam shpërngulur në Zvicër qe 4 vite. Meqë më duhej gjuha gjermane për t’i vazhduar studimet, në fillim jam fokusuar vetëm në mësimin e saj dhe në integrimin tim këtu. Por pasi arrita t‘i kaloj provimet e nevojshme, kisha më shumë kohë për veten dhe pa dyshim që më mungonte vendi dhe gjuha ime. Fillova të kërkoj librari për të blerë libra shqip, por nuk gjeta në asnjë vend. Isha shumë e zhgënjyer që në një vend me kaq shumë shqiptarë, mungonte libri shqip! Pastaj fillova të porosisja libra në Kosovë. Herën e parë nuk arriti porosia tek unë dhe askush nuk mori përgjegjësi. Prapëseprapë nuk hezitova të porosis prapë, por edhe herën e dytë u zhgënjeva. Kisha paguar një shumë marramendëse për postën dhe librat më erdhën (pas 7 javësh) në një gjendje shumë të keqe. Me gjasë ishin dëmtuar gjatë transportit, pasi nuk ishin paketuar siç duhej. Aty e kuptova që unë më nuk mund të pajtohesha me një shërbim të tillë, pasi isha mësuar me një standard të shërbimit tejet profesional këtu në Zvicër. Dhe kështu thashë po ndoshta ka edhe të tjerë që do të donin të lexonin shqip dhe librat t’iu shkonin me një shërbim siç ata ishin mësuar. Dhe kështu u krijua libraria e parë shqiptare në diasporë“

4. Sa lexoni ju ?
Krenare Kuçi Bozharaj: „Unë nuk mund të jetoj pa aromën e librave apo pa i prekur ata. Ndërsa sa i përket leximit, lexoj aq sa më jepet mundësia dhe aq sa kam kohë. Shpesh mendoj t’i lë të gjitha punët dhe të shkoj në ndonjë vend të qetë me një palë rroba dhe me një valixhe të madhe me libra“

5. A po porosisi libra më shumë djemtë apo vajzat?

Krenare Kuçi Bozharaj:“Në fillim kishte më shumë vajza, ndërsa tani nuk po mbesin prapa as djemtë“

6. Cilat tema të librave të interesojnë për librarinë?

Krenare Kuçi Bozharaj:“Ne mundohemi që të kemi gjithmonë libra me tema të ndryshme (të përfshijmë gjithçka), mirëpo lexuesit janë më shumë të fokusuar në libra për fëmijë, libra për historinë shqiptare, si dhe libra psikologjikë e motivues“

7. Çfarë gjuhe i ke librat?

Krenare Kuçi Bozharaj:“Ne të gjithë librat i kemi në gjuhën shqipe. Por tani kemi filluar të mbajmë libra edhe në gjuhë të huaja, por më kusht që autorët të jenë shqiptarë“

8. Si lidhesh me autorët e si me blerësit, si shkon procedura?


Krenare Kuçi Bozharaj: „Që nga fillimi i themelimit tonë, ne kemi ndjekur qëllimin që t’ua lehtësojmë librarive vendore dhe shtëpive botuese në Kosovë, Shqipëri dhe Maqedoni qasjen në tregun evropian duke siguruar logjistikën në vend dhe prokurimin e mallrave me çmime të arsyeshme. Ne nuk llogarisim vetëm në transportin me ofrues jotransparentë të shërbimeve të shpërndarjes dhe me shpërndarje që zgjasin me javë, por përkundrazi, ne transportojmë librat te shpërndarësi ynë në Zvicër në bashkëpunim me kompani të besueshme të logjistikës. Nga këtu, librat shpërndahen nga kompani zvicerane dhe evropiane të shpërndarjes dhe arrijnë në shtëpitë e lexuesve sigurt, komod dhe brenda pak ditësh

Ne aktualisht shesim vetëm libra fizikë, mirëpo jemi në kontakt me shtëpitë botuese që sa më shpejt të jemi libraria e parë që ofron edhe libra elektronikë (E-book) në gjuhën shqipe – me lejen e shtëpive botuese, natyrisht“

9. A ka ndikuar pandemia në shitjen e librit?


Krenare Kuçi Bozharaj:“Ne në fakt e kemi hapur librarinë vitin e kaluar në muajin mars, pikërisht në kohën kur u ndalua çdo gjë për shkak të pandemisë. Ishin shumë vështirë për ne që ta organizonim transportin dhe çdo gjë tjetër, por e mira ishte se libraria po ecte mirë dhe kështu po vazhdon ende“

10. A ke mendu organizime me autorët Lexime, Evente, Poetry Slam?

Krenare Kuçi Bozharaj:“
Sigurisht që po. Në muajin maj do të fillojmë me grupe leximi, ku do të ketë autorë të ftuar. Takimet do të mbahen momentalisht online për shkak të situatës.

11. Disa thonë LIBRI ËSHTË JETA. Disa thonë LIBRI ËSHTË SHOKU MË I MIRË. E për ty çka është libri?

Krenare Kuçi Bozharaj: „Unë kësaj pyetjeje po i përgjigjem me një citat nga Cicero: “Nëse ke një kopsht dhe një bibliotekë, atëherë ke gjithçka që të duhet”.
Unë thjesht nuk mund të jetoj pa libra“

Hava Kurti Krasniqi

Related posts