970×90
970×90
970×90
970×90

Krasniqi: Këta që po i pengon sot taksa, s’kanë qenë të zotët ta trembin macen nga përsheshi

Krasniqi: Këta që po i pengon sot taksa, s’kanë qenë të zotët ta trembin macen nga përsheshi


Njëra nga figurat më të rëndësishme të PDK-së që rrugëtimin e tij politik e ka vazhduar tek NISMA për Kosovën, Jakup Krasniqi, ka kritikuar të gjithë faktorin politik në Kosovë që po e kundërshtojnë vendimin e Haradinajt për taksën, shkruan Gazeta Express.

Sipas Krasniqit vendimi për taksën nuk është një pengesë për vazhdimin e dialogut dhe arritjen e një marrëveshje. 

Ish-kreu i Kuvendit ka folur për krimet serbe që janë kryer gjatë luftës së fundit në Kosovë kundër civilëve të pafajshëm, duke thënë dikush në Kosovë me kujtesë të shkurtër ka mundur edhe t’i harrojë. 

Ai thotë se nuk habitet me ndërkombëtarët që e kundërshtojnë një vendim të tillë të Qeverisë Haradinaj, por i vije çudi me politikanët në Kosovë që po e kundërshtojnë një vendim të tillë. 

“Nuk me habisin shumë ata të jashtmit, pasi ata në fund të fundit nuk janë prekur nga krimi e gjenocidi që e jetuam në Kosovë, por me habisin këta tanët, që kurrë nuk qenë të zotet që ta “trembin macen nga përsheshi” dhe i pengon taksa! Bile po me vije goxha keq pse janë bërë kaq shumë këta të fundit! Madje fare pa u skuqur po defilojnë nga një ekran televiziv në tjetrin?!”, ka thënë Krasniqi, shkruan Gazeta Express.

Ndër të tjera Krasniqi ka shtruar edhe një pyetje se pse nuk ishte arritur një marrëveshje para nëntorit të vitit 2018, meqeë tashmë po e përdorin taksën si një pretekst për bllokimin e dialogut. 

“Të gjithë atë që taksën 100 % e shohin si pengesë për gjëja një marrëveshje të pretenduar me Serbinë – “janë në lule të Xhehnetit” , ka thënë kryetari i Këshillit Kombëtar të NISMA-s. 

Kundërshtarët e taksës, Krasniqi nuk ka ngurruar që t’i quaj edhe qyqarë.

Shkrimi i plotë i Jakup Krasniqit: 

Të gjithë ata që Taksën 100% e shohin pengesë për gjëja një marrëveshje të pretenduar me Serbinë – “JANË NË LULE TË XHENETIT”!

Ju takon sidomos atyre që thirren në vlera demokratike, që të bëhen burra ose burrnesha e le të na tregojnë: Pse marrëveshja që kaq shumë po e dëshirojnë në mes Kosovës e Serbisë nuk e arritën para nëntorit të vitit 2018? Nuk ka dyshim, taksën e kanë si pretekst, po cilët ishin pretekstet para taksës?

Dëgjoni e lexoni, kuptohet nëse keni sy për të parë e veshë për të dëgjuar se çka na përrallisin disa herë brenda një dite çinovniket e lartë të Serbisë për Kosovën e shqiptarët? Kërcënimet që i bëjnë edhe tani janë po të njëjtës natyrë si ato të viteve të luftës kur ia patën vu zjarrin Kosovës! Pra, se çka mendojnë ata kriminel e kemi parë sidomos në vitet 1998 dhe 1999. Ketë askush nuk po e thotë!

 Nuk po shkojmë më larg në histori se bëhet tepër, por as sot nuk mendojnë ndryshe për shqiptarët e Kosovës. A e dinë ata në BE, pse ishte formuar Tribunali i Hagës për krimet në ish Jugosllavinë? Nëse kanë harruar, shqetësohem për ata që e kanë kujtesën e shkurtër! Në Kosovë ka shumë njerëz në politikë me kujtesë shkurtër. Besonim se në BE njerëzit mendojnë ndryshe! Të gjithë e dinë se, Taksa nuk ishte aty nga viti 2011 e krejt deri në fund të vitit 2018 kur janë zhvilluar Bisedimet e Brukselit dhe nuk u arrit asnjë marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë – Serbi!

Nuk me habisin shumë ata të jashtmit, pasi ata në fund të fundit nuk janë prekur nga krimi e gjenocidi që e jetuam në Kosovë, por me habisin këta tanët, që kurrë nuk qenë të zotet që ta “trembin macen nga përsheshi” dhe i pengon taksa! Bile po me vije goxha keq pse janë bërë kaq shumë këta të fundit! Madje fare pa u skuqur po defilojnë nga një ekran televiziv në tjetrin?!

Qyqarë, Bota gjithherë ka pasur, por edhe tash po vazhdon t’i ketë me bollëk!

Pa dyshim, njerëzit me integritet, dije e dinjitet gjithnjë e kudo kanë qenë në pakicë, si dje ashtu edhe sot nuk ka ndonjë ndryshim në substancë!

Ishte një kohë që ATA të paktet, që kishin integritet e vizion ndiqeshin nga shumica! Tani është koha e zhurmërisë se shumicës!

Prej atyre që jetonin e jetojnë në “lule të xhenetit” me zhurmëri, nuk e pres ditën e selametit!

Related posts