Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka pritur në takim ministrin e Punëve të Jashtme të Greqisë, Nikolaos Kotzias.
Me këtë rast, Thaçi ka thënë se e çmon pozicionin pozitiv dhe parimor të Greqisë për perspektivën evropiane të Kosovës.
“Jemi mirënjohës për përkrahjen e Greqisë për anëtarësim në organizata ndërkombëtare dhe kërkojmë që kjo përkrahje të vazhdojë edhe për anëtarësimin tonë në INTERPOL, UNESCO, NATO, Bashkim Evropian dhe në Organizatën e Kombeve të Bashkuara. Është shumë me rëndësi që Greqia ta ruaj qëndrimin konstruktiv”, ka deklaruar Thaçi.
Kreu i shtetit me ministrin Kotzias kanë folur edhe për rëndësinë e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, i cili forcon paqen në tërë rajonin tonë.
Presidenti Thaçi dhe ministri i Jashtëm i Greqisë, Nikolaos Kotzias, kanë diskutuar edhe për thellimin e bashkëpunimit ekonomik.
“Kosova ka krijuar një ambient biznesor mjaft atraktiv dhe janë të mirëseardhur investitorët grekë”, është shprehur presidenti Thaçi.
Në anën tjetër, kryediplomati grek ka thënë se normalizimi i marrëdhënieve mes shteteve në Ballkanin Perëndimor, por edhe në vetë Bashkimin Evropian, është shumë i rëndësishëm për të gjitha shtetet.
“Greqia e mbështet planin e integrimit evropian në të gjitha nivelet”, është shprehur Kotzias.
Gjatë takimit të presidentit Thaçi me ministrin e Jashtëm të Greqisë është diskutuar edhe për procesin dhe modalitetin e hapjes së zyrës së Kosovës në Athinë, e cila do të ndihmonte në forcimin e marrëdhënieve bilaterale në mes Kosovës dhe Greqisë.