970×90
970×90

Kosova ndanë 40 milionë euro për blerjen e vaksinës anti-covid

Kosova ndanë 40 milionë euro për blerjen e vaksinës anti-covid

Kuvendi i Kosovës ka miratuar në lexim të dytë Projektligjin për buxhetin e vitit 2021.

Kryeministri Avdullah Hoti përmes një postimi në Facebook ka thënë se miratimi i buxhetit siguron blerjen e vaksinave anti-Covid me 40 milionë euro.

Ai tha se buxheti siguron zbatimin e Programit të Rimëkëmbjes për 2021.

Postimi i plotë:

Miratohet buxheti për vitin 2021, i cili siguron stabilitet për funksionimin e institucioneve, financim të duhur për shëndetësi për luftimin e pandemisë, përfshirë blerjen e vaksinave anti-Covid me 40 milionë euro.

Buxheti siguron financim të rregullt të arsimit, drejtësisë, sigurisë dhe mbrojtjes, kulturës, rinisë dhe sportit, financimin e rregullt të skemave sociale dhe pensionale, financimin e projekteve kapitale, financimin e rregullt të buxhetit të komunave.

Buxheti siguron zbatimin e Programit të Rimëkëmbjes për 2021, si dhe kontribuon në kultivimin e partneritetit me institucionet financiare ndërkombëtare dhe me partnerët tjerë zhvillimor të Kosovës që ka munguar në vitet e fundit.

Deputetet e Kuvendit të Kosovës me 85 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim kanë miratuar buxhetin për vitin 2021.

Pas diskutimeve të shumta, të hënën është votuar në lexim të parë Projektligji për Ndarjet Buxhetore.

Sipas projektimeve, buxheti për vitin 2021 pritet të jetë mbi 2 miliardë e 412 milionë euro.

Nga projeksionet fiskale, gjithsej të hyrat buxhetore do të janë 1 miliard e 886 milionë euro, kurse shpenzimet parashikohet të jenë 207.6 milionë më të vogla se sa vitin paraprak.

Nga të hyrat, prej Administratës Tatimore priten të grumbullohen 509 milionë euro, kurse nga Dogana e Kosovës do të inkasohen 1 miliard e 169 milionë euro.

Detajet e Projektbuxhetit për vitin 2021 – 182 milionë euro parashihen për Rimëkëmbjen Ekonomike

Prej gjithsej shpenzimet buxhetore, 643 milionë euro janë për subvencione dhe transfere, 625 milionë euro janë paga dhe shtesa, rreth 311 milionë euro janë për mallra dhe shërbime, kurse 34 milionë euro janë rezerva.

Në këtë pjesë të shpenzimeve, 182.4 milionë euro janë paraparë të shpenzohen në kuadër të Programit të Rimëkëmbjes Ekonomike.

Për sa i përket ministrive, buxhet më të madh pritet ta ketë ajo e Punës dhe Mirëqenies Sociale, ndjekur nga ajo e Infrastrukturës dhe e Financave.

Në vitin 2021, buxheti për 38 komunat do të jetë mbi 550 milionë euro. Komuna me buxhetin më të lartë, do të jetë ajo e Prishtinës me rreth 86 milionë euro, Parteshi do ta ketë buxhetin më të ulët, pra me vetëm 1 milionë euro.

Related posts