
Gjatë këtij muaji nëntor, Kombëtarja e Kosovës rikthehet për t’i zhvilluar tri ndeshje në kuadër të kualifikueseve për EURO 2024.
Fillimisht, “Dardanët” do ta zhvillojnë takimin e shtyrë nga muaji i kaluar me Izraelin në stadiumin “Fadil Vokrri” të kryeqytetit.
Në lidhje me këtë ndeshje, ka ardhur mobilizimi i tifo grupit “Dardanët”, të cilët kanë paralajmëruar masa për këtë ndeshje, për të evituar fyerjen ndaj kombëtares së Izraelit, shkruan “Gazeta Express”.
Tifo-grupi i kombëtares kanë paralajmëruar se biletat do të jenë të personalizuar dhe disa masa të tjera në koordinim me Policinë e Kosovës.
“Organet e rendit dhe sigurisë kanë marrë masat e duhura që gjithçka të shkojë mbarë dhe në respektim të ligjeve në fuqi të Republikës së Kosovës. Në këtë frymë dhe harmoni do të angazhohemi që të gjithë që mos të lejojmë kurrfarë skenarësh tjera. Duke i respektuar rregullat, e respektojmë shtetin tonë. Në fushë kemi përballë një kundërshtar, kurse në tribuna kemi detyra që përkojnë vetëm në mbështetje të ekipit tonë kombëtar. Për shkak të ndjeshmërisë së situatës, paralajmërojmë secilin anëtar të Dardanëve që do të pajiset me biletë të personalizuar, me emër dhe mbiemër. Masa këto të ndërmarra me rekomandim të Policisë së Kosovës”, thuhet ndër të tjerash në njoftim.
Ndeshja mes Kosovës e Izraelit do të zhvillohet këtë të diel nga ora 20:45, ani pse luajnë edhe ligat evropiane.
Më pas, kombëtarja jonë të shtunën e 18 nëntorit në udhëtim takohet me Zvicrën, e tre ditë më vonë e pret Bjellorusinë.
Sa i përket tabelës, Kosova gjendet e katërta me shtatë pikë, tetë më pak se pozita e dytë. Kështu, Dardanët veçse janë pajtuar me eliminim nga kjo garë, ani pse synimi i tyre para kampanjës ishte kualifikimi në evropian që mbahet verën e ardhshme në Gjermani.