Qeveria e Kosovës është duke bërë përgatitjet e fundit për t’i kthyer në Kosovë rreth 100 kosovarë të tjerë të cilët gjenden në Siri, thotë ministri i Punëve të Brendshme, Ekrem Mustafa.
Në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, ,ministri në detyrë, Mustafa, tha se nuk mund të japë shumë detaje, por aktualisht po zhvillohen bisedime me Turqinë rreth kthimit të këtyre personave.
“Në detaje nuk mund të prononcohem. Por, tash jemi shumë të interesuar me shtetin turk, mos ndonjë nga personat (kosovarët) që kanë qenë nëpër kampe ka kaluar në pjesën turke”, tha Mustafa.
“Përafërsisht dihet numri, por nuk është numër i madh tash, sepse 110 i kemi sjellë në Kosovë. Aty diku sillet edhe numri i personave të tjerë (që pritet të kthehen)”, thotë Mustafa.
Në muajin prill të këtij viti, institucionet kthyen në Kosovë 110 kosovarë, në mesin e tyre katër luftëtarë që ishin pjesë e organizatave terroriste në Siri, 32 gra dhe 74 fëmijë.
Ministri Mustafa tha se institucionet kanë informacione për personat që gjendën në Siri dhe që pritet të kthehen në Kosovë. Sipas tij, në këtë grup ka më shumë luftëtarë për dallim prej operacionit të parë të realizuar në muajin prill, përmes së cilit në Kosovë ishin kthyer vetëm katër luftëtarë.
“Në kontingjentin e dytë ka më shumë persona që kanë marrë pjesë në luftë, por megjithatë më shumë ka fëmijë dhe gra”, tha Mustafa.
Kthimi i 110 kosovarëve në muajin prill ishte bërë përmes ndihmës së ofruar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Në partneritet me SHBA-në, autoritetet e Kosovës po e planifikojnë edhe operacionin e ri, mirëpo për afatet kohore dhe mënyrën e zhvillimit të operacionit, ministri Mustafa refuzoi të tregojë apo jep më shumë informata.
“Sikurse që ka qenë i kaluari. Do të thotë ne e marrim përgjegjësinë e integrimit, transferimit, të mbajtjes 72 orësh, transferimit nëpër vendbanimet e tyre. Nëse ka persona që nuk kanë vendqëndrim të përhershëm, për shembull nëpër familjarë ose diku, ju organizojmë edhe vendbanim të përhershëm. Është një fond i posaçëm që është i destinuar vetëm për këtë problematikë”, thotë Mustafa.