Sipas Petar Hubchev, s’ka asnjë favorit në ndeshjen Kosovë – Bullgari.
Trajneri i Bullgarisë, Petar Hubchev, mendon se në Grupin A, vetëm Anglia është favorit ndaj çdo skuadre, ekipet tjera janë të barabarta dhe do të japin maksimumin deri në xhiron e fundit për të siguruar një biletë për “Euro 2020”, raporton Gazeta Express.
“Unë e ndaj mendimin e njëjtë me gjithë trajnerët e këtij grupi. Ne mendojmë se favorit është Anglia, ndërsa pjesa tjetër janë të barabartë”, deklaroi Hubchev.
I pyetur se kush është favorit mes Kosovës dhe Bullgarisë, ai u përgjigj shkurt: “Nuk ka favorit”.
Ai beson se përballja me Kosovën nuk do të jetë e lehtë, por objektivi i tyre është “Euro 2020” dhe do të japin më të mirën në stadiumin “Fadil Vokrri” për të nxjerrë rezultat pozitiv.
“Na pret një lojë e mundimshme dhe e vështirë, dhe ne si Bullgari duam të jemi në Evropian, andaj do ta japim më të mirën”, tha Hubchev.