Ambasadori i Republikës së Kosovës në Senegal, Ramadan Gashi, i ka dorëzuar letrat kredenciale tek Presidenti i Republikës së Çadit, Idriss Deby Itno, duke u bërë si Ambasador i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë, i Republikës së Kosovës në Republikën e Çadit.
Kështu bëhet e ditur në njoftimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme (MPJ) të Kosovës.
Më tutje ky njoftim në këtë vizitë, ambasadori Gashi është shoqëruar nga Drejtori për Çështje Politike, në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, Lulzim Mjeku.
“Delegacioni i Republikës së Kosovës, gjatë qëndrimit në kryeqytetin Nxhamena, është pritur edhe nga ministri i Punëve të Jashtme, Mahamat Zeni Cherif dhe Drejtori i Protokollit të Shtetit, Ossodongarti Memdingangar. Me këtë rast, Ambasadori Gashi i dorëzoi kopjet e letrave kredenciale ministrit Mahamat Zeni Cherif dhe i përcolli mesazhet e Zëvendëskryeministrit të Parë dhe Ministrit të Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli. Të dy palët bashkëbiseduese prekën tema me interes të përbashkët për dy shtetet”, thuhet në këtë komunikatë. /Telegrafi/