![Konjufca: Unë si kryeparlamentar nuk jam duke bërë asgjë, asnjë veprim nuk jam duke e bërë kundër Këshillit Prokurorial që kanë zgjedhur zotin Isufaj. Unë nuk po pengoj](https://gazetaprojekti.com/wp-content/uploads/2023/05/5114FA1E-0E77-4978-A9C7-0FBD1278D2A7.jpeg)
Gjyqin ne drejtësisë nuk ia bëjmë. Këtij pohimi provoi t’i binte disa herë kryeparlamentari Glau Konjufca në një intervistë në RTV21, pyetur specifikisht për fjalimin më kontraverz të bërë mbase në krejt mandatin ekzekutiv të Qeverisë Kurti II, kur ishte vetë kryeministri Albin Kurti, që tha se Blerim Isufaj “përkundër vullnetit të Kryeministrit, Kryeparlamentarit dhe Presidentes po dëshiron të bëhet kryepokuror”. Një deklarim aq tonik nga Kurti, në një sistem pushtetesh të ndara, tashmë e ka mbajtur të shqetësuar shumë kënd.
Konjufca, megjithatë, pyetur për fjalimin e Kurtit, ku ky i fundit foli edhe në emër të vullnetit të tij, mohoi se kjo gjë varet nga një gjë kaq intra-personale sa vullneti. Po as nga vullneti i Kurtit nuk varet kjo, tha ai.
“Vullneti i kryeparlamentarit kurrgjë nuk ka lidhje me zgjedhjen e kryeprokurorit. As vullnet i Kryeministrit nuk ka lidhje. Ka lidhje përcaktimi profesional i presidentes. Sepse Presidentja në mandatin kushtetues të saj e ka këtë kompetencë. Presidentja i ka arsyet e veta të cilat i ka shpjeguar deri tash. Me sa e kam pa unë më shumë për shkak të shkelje procedurale (…) Por, për atë se si zoti Isufaj ka me u zgjedh kryeprokuror, për besë asnjë kompetencë nuk e kam. Nuk kam unë kompetenca.”, tha Glauk Konjufca.
“Unë si kryeparlamentar nuk jam duke bërë asgjë, asnjë veprim nuk jam duke e bërë kundër Këshillit Prokurorial që kanë zgjedhur zotin Isufaj. Unë nuk po pengoj”.
Mirëpo, tha Konjufca, njëjtë siç ka menduar kaherë për personin e Isufajt, njëjtë mendon edhe sot. Pozita e kryeparlamentarit “nuk më cenzuron”, u shpreh ai. “Pse mem kufizu kjo, pse mem cenzuru? A duhet të them tash që zoti Isufaj na u bë një tjetër person. Unë po të them që kriitkën që e kam pasur si opozitar, qato baza janë”.
E se çka mendon dhe vazhdon të besojë në raport me figurën e kryeprokurorit Isufaj, Konjufca s’ia heq as edhe një qëndrim vetes nga e kaluara. Ose së paku kështu shprehet.
“Tash, po flas prej dimenzionit njerëzor. Unë e kam kritikuar Blerim Isufajn. E kam kritikuar vazhdimisht. Dhe, nuk ka ndryshuar natyra e kritikës unë tash që unë po ulem në tjetër kolltuk. Ajo do të ishte jonjerëzore. Që njeriu t’i ndryshojë fjalët e veta sepse u ul diku. Pikërisht kjo të bën parimor. Unë në opozitë e kam kritikuar Blerim Isufajt. Ja kemi kritikuar qasjen Blerim Isufajt kur është hequr fletarresti për Milan Radojçiqin. Nuk mundet me i mbyll sytë zoti Isufaj për këtë. Po flas këtu jashta kontekstin ku zoti Isufaj ka kandiduar për kryeprokuror”.
Drejtësia, tha Konjufca, është sistemi më i vetëregulluar por edhe më i parregulluar. E për këtë parregullsi “njëri nga më përgjegjësit është Isufaj”, konstatoi ai. “Qaq është e parregulluar saqë qytetarët më së shumti jan ëtë frustruar me drejtësi. E ky zotëria që po kërkon me dalë në krye të drejtësisë ky është prej më përgjegjësve se pse qytetarët janë më të frustruarit se pse në Kosovë nuk ka drejtësi”.
Duke folur për rastin e arrestimin e Shefit të suspenduar të KEK-ut, ai tha se këtë çështje ia lë drejtësisë. Mirëpo, vazhdoi ai, “Nëse për zotin Krasniqi nuk ka asnjë argument dhe pas të gjithë procesit zoti Krasniqi del i pafajshëm dhe del se kjo e tëra ka qenë me urdhër politik që me njollos qeverisjen. Unë i pari do të dalë për ta kritikuar drejtësinë. Sepse nuk paska drejtësi. Por nëse ai ka bë shkelje, e ka dëmtu buxhetin, e ka dëmtu popullin, unë u them bravo ju qoftë”.