![Konjufca jep arsyet pse dështoi takimi në Bruksel, tregon kërkesën që Borrell e Lajçak ia bënë Kurtit](https://gazetaprojekti.com/wp-content/uploads/2023/09/IMG_6518.jpeg)
Kryeparlamentari Glauk Konjufca ka folur lidhur me takimin e djeshëm që u mbajtë në Bruksel, ku u takuan Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq.
Konjufca ka thënë se pozicioni i Kurtit, është pozicioni më i mirë që mund ta mbajë Kosova. Ai ka treguar arsyet pse dështoi ky takim, e edhe kërkesën e Kryediplomatit të BE’së, Josep Borrell dhe Emisarit Mirosllav Lajçak, drejtuar Qeverisë së Kosovës, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
“Se ka nënshkru Vuçiqi. Takimi dështoi për arsye se z.Kurti ka thënë, edhe pozicioni i tij për mendimin tem është më i miri që mundet me mbajtë Republika e Kosovës. Z.Kurti i ka thënë dëgjo, kjo marrëveshje unë e kam kuptu në dy shtylla, shtylla 1 dhe shtylla 2. Shtylla 1, është kjo njohja de-facto. Shtylla 2 është qajo obligimi i 2013’ës, për me ba Kosova. Tash Lajçaku dhe Borrelli po dalin e po i thojnë Qeverisë së Kosovës, ti duhesh me ia nis prej shtyllës 2. A është fer kjo, që me fillu ne prej shtyllës 2, e Serbia me kqyrë a po i mbushet mendja me njoftë najherë nashta Kosovën një ditë. Kjo është brutale, kjo është shkelje e Kosovës”, ka deklaruar Konjufca në një intervistë në Kallxo.com.
Ndryshe, takimi i djeshëm në Bruksel mes Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit dhe Presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ka përfunduar pa ndonjë rezultat.
Shefi i Diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell, fajësoi kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, për këtë.
Sipas Borrell, në vend që ta pranonte Asociacionin, Kurti insistonte te njohja de-facto, duke mos e pranuar propozimin e tyre për kompromis. Ndërsa tha se presidenti serb Vuçiq e pranoi propozimin e BE-së për implementimin e marrëveshjes.
“Fatkeqësisht pas një takimi të gjatë, Kurti nuk ishte i gatshëm të vazhdojë për fillimin e procesit të krijimit të Asociacionit. Ai insistonte në formalizimin e njohjes de-facto, si hap i parë. Duhet të them që Vuçiq e pranoi propozimin evropian për implementimin e marrëveshjes. Ai erdhi me propozimin e vetë, por e pranoi propozimin tonë”, tha Borrell, para gazetarëve.
Tutje, Borrell tha se pavarësisht përpjekjeve, nuk u kapërcyen dallimet.
“Provuam fortë, por fatkeqësisht nuk ishte e mundur të kapërcenim dallimet. Nuk kishte progres në de-eskalimin e tensioneve në veri. Si rikujtesë, 27 shtete anëtare kanë kërkuar për hapa konkret për zgjidhjen e krizës. Disa hapa janë marrë nga Kosova, por ata dështuan të plotësojnë kushtet për de-eskalim të plotë”, ka thënë Borell.
Borrell shtoi se Kosova dhe Serbia duhet të pajtohen për një proces që shkon paralelisht, pra njëra palë ofron diçka, që pasohet nga pala tjetër.
“Një proces që do të lejojë që të shkohet paralelisht. Kjo është kompromisi më i mirë që mund të ofrojmë. Ti duhet të bësh diçka për të marrë diçka”, tha Borrell.
Kryediplomati i BE-së tha se do t’i informojnë shtetet anëtare për mbarëvajtjen e takimit.
“Pas këtij takimi, unë dhe Miroslav do t’i informojmë shtetet anëtarë dhe do të vendosim bashkë për rrugën përpara”, deklaroi Borrell.
Menjëherë pas Borrellit, para gazetarëve u deklarua kryeministri Albin Kurti. Kurti tha se nuk mund të bënte kompromis me atë që ai e cilësoi si “kushtëzim të vjetër të Serbisë” për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.
“Nuk ka mundur të ketë kompromis, meqenëse nuk mund të ketë kompromis midis propozimit me sekuencë dhe kushtëzimit të vjetër. Kur unë kërkova gjatë këtij takimi që ta shoh propozimin që ka dhënë Serbia, sepse m’u tha që ka një të tillë, ndërmjetësit nuk ishin në gjendje që ta sjellin.
Dhe vetëm pas përfundimit të takimit m’u dha një dyfaqësh në anglisht dhe në serbisht në çirilicë, i cili paraqet një dokument të vjetër së paku gjashtë muaj, që do të thotë se nuk mund të jetë udhërrëfyes i sekuencuar si propozim i palës serbe, por që në fakt ishte dokument i kushtëzimit të Serbisë që njëherë duhet të zbatohet Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe, pra ajo marrëveshja e para 10 vjetëve, e më pastaj eventualisht do të mund të kalojmë në zbatimin e kësaj Marrëveshjes Bazë”, deklaroi Kurti.
Ai tha se ka qenë i vetmi në takim që ka propozuar “një udhërrëfyes të sekuencuar” për zbatimin e Marrëveshjes bazë, të arritur në Bruksel më 27 shkurt, dhe të aneksit të zbatimit të saj, të dakorduar në Ohër, më 18 mars.
Tutje, Kurti tha se është për të ardhur keq se si pikërisht kur është konstruktiv dhe bën propozime, shkaktohet një lloj nervoze në dhomë dhe vështirësohet dialogu.
“Nuk mund të quhet propozim, sepse kur ta lexoni përmbajtjen do ta shihni që është kushtëzim, ndërkaq ne e kemi bërë një propozim dhe është për të ardhur keq se si pikërisht kur jam konstruktiv dhe bëj propozime shkaktohet një lloj nervoze në dhomë dhe vështirësohet dialogu”, deklaroi Kurti.
Ai ka akuzuar ndërmjetësit europianë se kanë bërë zyrtare qëndrimin e Serbisë që ajo të kushtëzohet me Asociacionin.
“Është për të ardhur keq që emisari evropian Lajçak, e ka pranuar një kushtëzim të tillë dhe kushtëzimin nga Serbia që e ka pranuar ndërmjetësi Lajçak, e ka bërë në cenim të funksionit të tij si lehtësues edhe ndërmjetësues, por unë nuk mund ta pranoja një gjë të tillë duke cenuar asisoj Kosovën, Kryeministër i së cilës jam.
Pra, edhe këtë dokumentin tjetër që është më i vjetër se gjashtë muaj që paraqet dokumentin e kushtëzimit të Serbisë, që njëherë asociacioni e pastaj shohim gjithashtu e kemi tani në dorë e nuk kemi qenë në dijeni se ka një dokument të tillë”, tha Kurti.