Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufa, ka dënuar aktin e dhunës brutale në Serbi ndaj politikanit Nikola Sanduloviq, i cili është prej politikanëve të rrallë që njeh Republikën e Kosovës.
Ai ka bërë me dije se ky veprim është sulm ndaj mundësisë së një pajtimi në mes Kosovës dhe Serbisë.
Ai i ka bërë thirrje edhe bashkësisë ndërkombëtare që ta dënojë këtë akt të dhunshëm.
“E dënoj në mënyrën më të ashpër aktin e shëmtuar të dhunës brutale në Serbi ndaj politikanit Nikola Sanduloviq. Nga raportimet e mediave dhe deklarimet e familjarëve dhe avokatit mësuam se z. Sanduloviq, i marrë nga policia e shërbimit sekret serb, është mbajtur dhe rrahur nga persona zyrtarë të këtij institucioni shtetëror, e më pas i është bastisur apartamenti. Në një situatë të frikësimit dhe territ mediatik në Serbi, aludimi shqetësues se në torturim ka marrë pjesë edhe terroristi Milan Radojçiq, i kërkuar nga Republika e Kosovës dhe ndërkombëtarisht për sulmin terrorist në Banjskë, akoma nuk është sqaruar”, ka shkruar Konjufca.
Sipas tij, ky është akti edhe ndaj Republikës së Kosovës.
“Përpjekja për të trembur dhe zmbrapsur politikanë si z. Sanduloviq, i cili sulmohet pikërisht se njeh sovranitetin e Republikës së Kosovës dhe kërkon falje për krimet e Serbisë ndaj shqiptarëve, vjen si sulm ndaj mundësisë së një pajtimi të drejtë politik mes Kosovës dhe Serbisë, si dhe ndaj kulturës politike evropiane në Serbi. Duke i dëshiruar shërim sa më të shpejtë z. Sanduloviq, e duke uruar që ai të dalë edhe më i vendosur nga ky sulm i rëndë, i bëj thirrje edhe komunitetit ndërkombëtar që ta dënojë këtë akt dhe të ndërmarrë veprime frenuese të brutalitetit të shtetit serb, që është i orientuar sa drejt Republikës së Kosovës, aq edhe drejt figurave publike që i shërbejnë përparimit të marrëdhënieve tona”, ka shkruara ai.